EUROBASKET 2017
Peja me më shumti lojtarë në përfaqësuese
10 June, 2016 @14:22
Në paraqitjen e parë historike të përfaqësueses së Kosovës në basketboll, përzgjedhësi Arben Krasniqi i ka besuar më së shumti basketbollistëve të Pejës.
Krasniqi në listën e tij prej 19 lojtarëve, ka ftuar 5 basketbollistë të Pejës (Drilon Hajrizi, Fisnik Rugova, Alban Veseli, Leonard Mekaj, Samir Zekiqi), më shumë se cilado skuadër tjetër.
Nga skuadra kampione, Sigal Prishtina, janë ftuar tre basketbollistë (Dardan Berisha, Edmond Azemi, Gazmend Sinani), ndërsa vetëm edhe nga një basketbollist nga Bashkimi (Granit Rugova) dhe Ylli (Urim Zenelaj) prej skuadrave të Superligës, kanë marrë ftesë nga Krasniqi.
Tetë lojtarë të ftuar në listën e Krasniqit luajnë në skuadrat e huaja (Elio Sadiku, Fahri Breca, Jaren Sina, Egzon Gjonbalaj, Yll Kacaniku, Arif Mehmetaj, Nadi Beciri, Victor Ljuljdjuraj), ndërsa Blerim Mazreku është basketbollisti i vetëm i ftuar që aktualisht është pa skuadër.
Përfundimisht, përzgjedhësi Krasniqi nga kjo listë do t’i përzgjedhë vetëm 12 basketbollistë, tek të cilët do të llogaris në kualifikimet për Eurobasket 2017.