FITORE BINDËSE E PEJËS
Peja mposhti thellë Prizrenin
6 March, 2024 @23:18
Në një ndeshje ku pritej rivalitet më i madh i Prizrenit ndaj kampionëve aktual, Peja duke treguar forcën e vetë në çerekët çift të ndeshjes ka fituar thellë ndaj kundërshtarëve të tyre sonte, 101-69.
Çereku i dytë me 29-14 dhe ai i fundit me 28-10 bënë dallimin kryesor në ndeshje, ndërsa Justin Davis dha 21 pikë në fitoren e ekipit të Rami Hadarit. Ai bëri edhe 3 asistime e 6 kërcime, ndërsa me 16 pikë nga loja u nda Arian Qallaku, e 14 të tjera shënoi Kwame Vaughn.
Prizreni që në xhiron e kaluar mposhti Prishtinën, nuk arriti të ruajë freskinë nga fundjava, ndërsa më të dalluarit në ekip ishin Ty Cockfield me 15 pikë, Arti Hajdari me 14 dhe Isaiah Kelly me 14 pikë e 13 kërcime!
Fitorja, bën që Peja të vazhdojë me fitore ciklin e fundit të stinorit të rregullt, ndërsa në total ka bilanc 17-6 dhe është e dyta. Prizreni në anën tjetër gjendet në pozitën e parafundit (të shtatë) dhe ende po lufton për t’i ikur playoutit. Me sonte, bilanci i djelmoshave të drejtuar nga i riu Rigon Hasi është 7-16.
Sa i përket duelit të sontëm, edhe këtë Peja e zhvilloi si vendase në “Shani Nushi” të Gjakovës, pasi që tashmë po bëhen gati 1 muaj që “Karagaçi” nuk ka rregulluar semaforin në palestër!
Në xhiron e radhës Peja udhëton te Trepça, ndërsa Prizreni pret Vëllaznimin.