ME REKORD
Trepça shënon fitoren më të thellë të stinorit
3 March, 2024 @18:54
Edhe një rekord për Trepçën, sa për të mos e përsitur titullin e lajmit që kanë shënuar të satën fitore me radhë këtë stinor në Superligë. E pesëmbëdhjeta fitore me rend e “minatorëve” ka ardhur me rekord pikë të shënuara këtë stinor nga një ekip dhe me rekord dallim në rezultat.
Trepça ka mposhtur Istogun bindshëm, duke mos ndalë ritmin asnjëherë gjatë 40 minutave lojë për përfundimtaren, 140-48. Në çerek të dytë ekipi i Adis Beciragicit shënoi 44 pikë, gati sa tërë lojën që shënoi Istogu!
Kevin Bracy-Davis me 26 pikë ishte koshashënuesi më i mirë i ekipit të Trepçës në këtë fitore me rekord, ndërsa me 23 pikë u dallua Devonte Upson. Drilon Hajrizi dha 19 pikë në këtë fitore, kombinuar me 5 asistime e 4 kërcime.
Istogu në anën tjetër që stinorin po e vazhdon pa asnjë basketbollist të huaj është vetëm një humbje para zyrtarizimit të rënies nga liga, ndërsa në paraqitjen e sotme të ekipit më së shumti pikë dha Donat Rexhepi, 18.
Trepça me të 15-tën fitore me radhë bën bilancin e lideres tash me 20-2, kur kanë mbetur edhe 6 xhiro deri në fund të stinorit të rregullt, ndërsa Istogu është në 1-21, praktikisht i rënë, në pritje vetëm të shuarjes së gjasave teorike për mbijetesë.