YLLI IA BËN 3-1 BASHKIMIT KËTË STINOR!
Ylli ia minimizoi gjasat Bashkimit për TOP-4
2 March, 2024 @22:06
Një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme e Yllit në “Sezai Surroi”, derisa ekipi suharekas i drejtuar nga dikur trajneri i Bashkimit, Petar Mijovic ka fituar duelin me 11 pikë dallim, 70-81.
Me këtë fitore, Ylli gjithashtu fiton duelet me Bashkimin këtë stinor në total, 3-1, ku suharekasit tashmë kanë treguar forcën karshi prizrenasve gjatë gjithë stinorit.
Nga përforcimet e Yllit në lojë ishte Aaron Jones, që fitoi 14 minuta në parket, duke shënuar 9 pikë e 5 kërcime. Ndërsa Alonzo Verge Jr. ka qenë fuqia më e madhe e mysafirëve në lojë. Dha 26 pikë, bëri 7 asistime e 3 kërcime në fitore, duke kontrolluar ndeshjen në 30 minuta sa ishte në parket.
Nate Grimes me 17 pikë e 7 kërcime si dhe Dajuan Graf me 11 pikë kanë qenë të tjerët me radhë, sipas koshave të shënuara që ndikuan në fitore të Yllit.
Bashkimi në anën tjetër nuk arriti të bëj asgjë më shumë në këtë përballje. Edhe i shumë proklamuari Terrance Ferguson pësoi kolaps në fushë, ndërsa fatmirësisht mjekët e skuadrës reaguan shpejt dhe e shpëtuan. Arsyeja e rrëzimit të tij në fushë, gjatë lojës pa ndjenja ende nuk dihet saktë pse ka ndodhur - e as klubi nuk ka dalë me ndonjë deklaratë.
Erik Copes dhe ëill Daniels të zakonshmit që luftojnë për Bashkimin dhanë kontribut kryesor, bashkë me Lejson Zeqirin që kreu lojën me 18 pikë e 4 asistime. Copes ndërkaq dha 15 pikë e 8 kërcime, ndërsa Daniel luajti me 12 pikë e 5 kërcime në atë që u bë të jetë humbja e 14. sezonale e Bashkimit!
Ylli tashmë forcohet edhe më në TOP-4, duke bërë bilancin 13-9 ndërsa Bashkimi është në 8-14, vetëm me gjasa teorike për TOP-4.