START ME FITORE
Dardani e Driloni për nismë të mbarë të Kosovës
22 February, 2024 @21:09
Kosova ka nisur mbarë parakualifikimet për Botërorin e vitit 2027 në basketboll nga zona evropiane, falë Dardan Berishës dhe Drilon Hajrizit. Dyshja me përvojë e basketbollit të Kosovës mbajtën barrën kryesore në lojë dhe falë angazhimit të tyre Kosova arriti të përmbys Irlandën që u rikthye në lojë në çerek të katërt për të arritur te fitorja 83-76.
Drilon Hajrizi luajti me 20 pikë, 9 kërcime e 3 asistime në fitore, ndërsa Dardani kontribuoi me 19 pikë, 2 kërcime e 1 asistim në fitore. Mikaile Tmusic dha 11 pikë e bëri 6 asistime për të kompletuar treshen e “Dardanëve” që dhanë pikë dyshifrore në këtë fitore.
Te Irlanda koshashënues më i mirë ishte Jordan Blount që pos 27 pikëve kompletoi ndeshjen me double-double duke bërë edhe 13 kërcime.
Përzgjedhësi Rami Hadar shfrytëzoi 10 nga 12 lojtarët e ftuar në ndeshje, ndërsa me minutazhë më së shumti në lojë ishin Tmusic (37), Hajrizi (25) e Dardani (24).
Në përballjen tjetër të grupit parakualifikues ku bën pjesë edhe Kosova, Zvicra ka mposhtur Azerbajxhanin 72-53. Kosova në ndeshjen e radhës udhëton në Azerbajxhan. Aktualisht, pas ndeshjeve të para Kosova e Zvicra kanë bilanc 1-0, ndërsa Azerbajxhani e Irlanda 0-1.