FINAL 8 : : : DEKLARATA E TRAJNERIT TË TROFEVE
Beciragic: Bënim gabime, por e kontrolluam lojën
18 February, 2024 @9:09
Trajneri boshnjak i Trepçës, Adis Beciragic, ka fituar trofeun e radhës me ekipin mitrovicas. Pas Superkupës së Kosovës para fillimit të stinorit 2023/24, në shtator, tashmë 54 vjeçari që drejton edhe reprezentacionin e Bosnjes e Hercegovinës ka fituar edhe Kupën e Kosovës më Trepçën.
Ekipi i tij në finale mposhti rivalin e madh dhe rekord-fituesen e kupave, Prishtinën.
“Finalja ishte si një finale, por fatkeqësisht bëmë gabime, të dyja ekipet. Por, të mos flasim për ndeshjen tash… Me rëndësi është që njerëzit e mirë të qytetit që kanë ardhur në ndeshje, ekipi dhe stafi, të gjithë janë të gëzuar për këtë arritje,” ka thënë Beciragic fillimisht, për të vazhduar.
“Sa i përket fitores, besoj se e kemi kontrolluar lojën, por gjithmonë bënim gabime dhe i lejonim ata të ktheheshin, gjithmonë gabonim kur pakës thellonim epërsinë. Në përgjithësi luajtëm më mirë, por në fund ata kishin mundësinë të fitonin ndeshjen dhe s’e shfrytëzuan rastin,” ka përfunduar deklaratën e tij dhënë pas triumfit në “Final 8” të Kupës së Kosovës, trajneri i trofeve në Kosovë - Beciragic.
SKEMA PËRFUNDIMTARE E FINAL 8 TË KUPËS
Trepça rrugës drejt finales mposhti Istogun në çerekfinale, pastaj kaloi Yllin në gjysmëfinale, për të arritur në finale ndaj Prishtinës.
Me fitoren e mbrëmshme, Trepça tashmë ka fituar për herë të tretë me radhë Kupën e Kosovës. Në dy finalet e fundit po e mposht Prishtinën, ndërsa para atyre kishte mposhtur Bashkimin në përballjen vendimtare të Kupës. Mitrovicasit tashmë në total kanë 7 Kupa të Kosovës, duke dalë në vend të dytë të listës së ekipeve me më së shumti Kupa të fituara. Para tyre është vetëm Prishtina me 13.