Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINAL 8 "GJAKOVA 2024" — GJYSMËFINALJA: 2

Prishtina mposht Bashkimin, siguron finalen e dytë të Kupës me radhë

Foto: FBK

Prishtina mposht Bashkimin, siguron finalen e dytë të Kupës me radhë


16 February, 2024 @8:46

Sikurse në vitin e kaluar, edhe këtë vit Prishtina ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës në basketboll. Përsëri, ata do jenë karshi Trepçës në ndeshjen vendimtare që sjell trofeun. Trepça ka fituar dy Kupat e fundit dhe po e kërkon “hat-trickun” e kupave!

Në një ndeshje mjaft interesante dhe me luftë të madhe për secilin top, Prishtina mposhti Bashkimin të enjten mbrëma në “Shani Nushi” me 5 pikë dallim, 66-71 për të siguruar finalen. Ekipi i Jaksa Vulic hyri në çerek të fundit me 10 pikë dallim, duke pasur bagazh avantazhi nga tre çerekët e parë dhe këtë arriti ta mbrojë, përkundër se prizrenasit e afruan mjaft rezultatin.

Ka qenë Shaheed Davis njeriu kryesor i ndeshjes te bardhekaltërit, derisa ka dhënë 21 pikë për ekipin e tij. Ai bëri edhe 5 kërcime. Dardan Berisha luajti me 19 pikë dhe e nisi ndeshjen me 3/4 për tre pikë, për ta mbyllur atë me 4/10! Muhamedali Janjeva ka qenë lojtar tjetër që ka dhënë pikë dyshifrore për Prishtinën, derisa kreu ndeshjen me 12 të shënuara.

SKEMA E KUPËS

Bashkimi në anën tjetër i drejtuar nga Aleskandar Jonchevski ndoqi rezultatin dhe u afrua mjaft, por pa mundur të bëj më shumë. Prizrenasit të mërkurën në ndeshje të vështirë eliminuan Pejën nga Kupa, ndërsa pas pak më shumë se 24 orë luajtën gjysmëfinalen.

Me nga 14 pikë te portokallezinjtë koshashënues më të mirë kanë qenë Isaiah Umipig dhe Altin Morina. Ky i fundit bëri edhe 6 asistime. Lejson Zeqiri dha 10 pikë e bëri 9 kërcime, ndërsa lojtarët që në këtë ndeshje u ndalën ishin Erik Copes dhe Will Daniels, që mbaruan lojën bashkë me 14 pikë! I pari dha 9, i dyti vetëm 5 pikë për më pak se 25 minuta lojë sa qëndruan në fushë.

Prishtina herën e fundit ka fituar Kupën në stinorin 2020/21, kur mposhti Yllin në finale! Kjo është finalja e dytë me radhë për prishtinasit, ndërsa në vitin e kaluar u mposhtën nga Trepça 74-66. Kësaj radhe do të provojnë t’ia rrëmbejnë Kupën mitrovicasve.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga