VËLLAZNIMI - PRISHTINA
18 pikë nga i rikthyeri Dardan Berisha, Prishtina fiton në Gjakovë
10 February, 2024 @18:43
Në ndeshjen përmbyllëse të xhiros në Superligën e basketbollit, Prishtina arriti fitore ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.
Takimin e sontëm kryeqytetasit e fituan me rezultat 64-71.
Epërsia pothuajse gjatë gjithë ndeshjes kalonte prej njërës skuadër të tjetra, me përjashtim të çerekut të fundit.
Pjesa e parë u mbyll 42-37 për Vëllaznimin pas dy çerekëve të parë 23-15 e 19-22. Pastaj Prishtina pati ngritje të lojës në çerekun e tretë (9-17) dhe e ktheu epërsinë në anën e saj. Skuadrat në çerekun vendimtar shkuan me rezultat 51-54.
Në 10-minutëshin e fundit, Prishtina u tregua më e mirë dhe e fitoi ndeshjen me epërsi 7-pikëshe, 64-71.
Rol të madh në fitoren e Prishtinës sonte luajti paraqitja fantastike e Derrick Wilson në çerekun e fundit, sidomos me kapjen e topave në fazën sulmuese.
Më të mirët te Vëllaznimi sonte ishin Myreon Jones dhe Jahenns Manigat me nga 18 pikë.
Te Prishtina, koshashënuesi më i mirë ishte Dardan Berisha me 18 pikë, ndonëse sapo është rikthyer nga lëndimi.
Javën e ardhshme, pikërisht në Gjakovë do të mbahet Final 8, ku pritet të mbizotërojë një atmosferë fantastike sportive.