PARA "FINAL 8" TË KUPËS
Prishtina me qendër të fuqishme - zyrtarizohet Diamond Stone
10 February, 2024 @23:39
Mbi 110 kilogramë dhe me 208 centimetrat e tij, Prishtina ka zyrtarizuar qendrën e fuqishme sonte, menjëherë pas fitores ndaj Vëllaznimit në mbylljen e xhiros së XXI, që shënoi edhe përfundimin e ciklit të tretë të ndeshjeve të Superligës.
Sonte Stone ka mbushur të 27-tat, ndërsa tash e tutje do të veshë bardhekaltër dhe pritet të jetë i gatshëm për duelet e “Final 8” të Kupës së Kosovës - ku Prishtina do të synojë trofeun.
“Qendra amerikane ka karrierë të suksesshme me ç‘rast ishte i draftuar në NBA me LA Clippers (sezoni i parë) dhe më pas ka luajtur në NBA G-League për 3 vite me skuadra të ndryshme.
Së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës Zavkhan në Mongoli ku është paraqitur me mesatare monstruoze me double-double prej 27.4 pikë dhe 10.1 kërcime për ndeshje,” ka shkruar njoftimi i KB Prishtinës botuar sonte.
Pos SHBA-së, ai ka bërë karrierë edhe në Portoriko, Republikën Dominikane, Kuvajt, etj. Te ekipi i tij i fundit, Zavkhan Brothers, Stone ka zhvilluar 18 ndeshje në ligën MBL të Mongolisë, ndërsa ka pasur mesatarisht 24.7 minuta për ndeshje me 24.9 pikë e 8.8 kërcime për lojë. Ai ka mesatarisht edhe 2 bllokada për lojë.
Prishtina në “Final 8” të Kupës së Kosovës, në çerekfinale do të ndeshet me ekipin e Prizrenit. Nëse e kalon këtë pengesë, në gjysmëfinale e pret fituesi i duelit Peja-Bashkimi, për të kërkuar biletën për finale të Kupës.