PËRGATITJET E KOSOVËS PËR PARAKUALIFIKIME DREJT BOTËRORIT 2027
4 mungesa te Kosova! Stërvitjet vazhdojnë për ndeshje ndaj Irlandës
Teksti: FBK
20 February, 2024 @19:41
Basketbollistët e Kosovës janë duke u stërvitur intensivisht para ndeshjes ndaj Irlandës.
Stërvitjet po mbahen dy herë në ditë, në mënyrë që të janë sa më të gatshëm për duelin e së enjtes, që është sfida e vetme në shtëpi për vitin 2024 si vendas.
Atmosfera në kampin e Kosovës është mjaft e mirë, derisa nga lista e gjerë ka disa mungesa.
Erjon Kastrati dhe Domenic Artis nuk do të jenë për shkak të lëndimeve, derisa gjendja e Lis Shoshit do të vlerësohet deri në fund. Jan Palokaj nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi për shkak të dokumentacionit.
Kosova është në grup me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin.
Sfidën e parë Dardanët e kanë më 22 shkurt ndaj Irlandës në Prishtinë, derisa sfidën e dytë ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt në udhëtim.
Raundi i parë parakualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA 2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.
Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.
Kosova po stërvitet nga ora 11:00-12:30 dhe 18:00-19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Mediat mund të marrin në intervistë trajnerët dhe lojtarët pas stërvitjes në mbrëmje, si dhe pamje nga stërvitja në pesë minutat e parë.