PAS AVENTURAVE NË PRISHTINË E PRIZREN...
Rikthimi i radhës për Divine Mylesin - kësaj here te KB Peja
29 February, 2024 @11:44
Transferi i fundit i Pejës për këtë stinor në përpjekje për të mbrojtur titullin e kampionit është reprezentuesi i Kosovës, i natyralizuari - Divine Myles.
Basketbollisti 28 vjeçar me 180 centimetrat e tij njeh shumë mirë Superligën e Kosovës. Ai më parë ka qenë pjesë e Prishtinës dhe Prizrenit. Në stinorin e kaluar 2022/23, ai ka qenë pjesë e Braunschweigut në BBL të Gjermanisë. Në stinorin 2022/23 ka pasur mesatare prej 23.8 minutash për ndeshje, ndërsa ka shënuaër 12.4 pikë për lojë, kombinuar me 3.2 asistime e 1.9 kërcime.
“KB Peja mbyll transferimet për sezonin 2023/24 me afrimin e Divine Myles në Folenë e Shqiponjave. Myles i cili ka luajtur më parë në Kosovë si dhe me fanellën e Kombëtares sonë - karrierë ka bërë edhe në SHBA, Francë, Rusi, Gjermani. Divine vjen në cilësinë e lojtarit vendor - duke qenë forcë shtesë drejt luftës për të mbrojtur Titullin Kampion!” - shkroi KB Peja në njoftimin e djeshëm për lojtarin në fjalë.
Myles së fundi ka qenë pjesë e ekipit nga Mongolia e largët, Khuleguud Knights - Broncos, nga Ulanbatori. KB Peja që është duke ndjekur Trepçën në renditje të Superligës dhe po kërkon të sigurojë së paku të sigurojë gjysmëfinalen direkte drejt playoffit, me Mylesin beson se do të thotë fjalën kryesore në ciklin e fundit të stinorit që nis këtë fundjavë. Në postimin e fundit të tashmë ish-ekipit të tij të ndeshjes së 27 shkurtit, Myles në gjysmëfinale të playoffit luajti me 15 pikë, 4 kërcime e 1 top të rrëmbyer në fitoren 83-48. Gjithashtu, KB Peja nuk ka bërë të ditur se kur do të arrij në ekip Myles, pasi që në Mongoli është faza gjysmëfinale e playoffit.
Përndryshe, 72 orë para fillimit të xhiros XXII të Superligës që është sot, ekipet më nuk mund të regjistrojnë lojtarë të ri në ekipet e tyre dhe do të duhet të çojnë fundin e stinorit me basketbollistët që kanë regjistruar deri sot.
Në stinorin e kaluar, KB Peja u bë kampione e Superligës duke fituar Trepçën në finale të playoffit me rezultat dramatik në ndeshjen e fundit, në serinë dramatike prej pesë ndeshjes, 3-2, ku mitrovicasit kishin epërsinë e terrenit vendas.