FITORJA E PARË E PRIZRENIT NDAJ PRISHTINËS KËTË STINOR
Prizreni pas vazhdimeve, gjunjëzon Prishtinën
3 March, 2024 @21:39
Urim Zenelaj ka qenë sonte në formë të tij të dikurshme dhe ka bërë dallimin në ndeshje, derisa KB Prizreni ka arritur fitoren e parë ndaj Prishtinës këtë stinor në Superligë, duke e mposhtur pas vazhdimeve me rezultat 94-91.
Bardhezinjtë vendas, kanë arritur që të shtyejnë ndeshjen për në vazhdime kur Prishtina udhëhiqte me 5 pikë 3.30 minuta para fundit të ndeshjes. Ka qenë Ivan Koljevic që shënoi një gjuajtje të lirë, ndërsa treshja e Edmond Kryeziut ngjalli shpresat për më shumë, kur bëri rezultatin 76-77, 2.24 minuta para fundit. Prishtina radhazi nuk shënonte në sulme, ndërsa Urim Zenelaj u përkujdes për epërsinë e vendasve me 78-77 1.39 minuta para fundit të ndeshjes.
Gjigandi Zenelaj shënoi përsëri, pasi që Prishtina në sulmin e vet nuk kishte shënuar për tre pikë. Rezultati u bë 80-77 dhe me një këndellje në sekondat e fundit pikët e Henrik Sirkos dhe Malcolm Armsteadit 16 sekonda para fundit të duelit çuan ndeshjen në vazhdime, 81-81.
Në vazhdime te Prishtina pikë shënoi vetëm Shaheed Davis (10) ndërsa Prizreni shfrytëzoi secilin moment dhe me pak më shumë saktësi shënoi fitore.
Zenelaj kreu lojën me 23 pikë, 1 asistim e 9 kërcime. Nga 18 pikë shënuan Isaiah Kelly dhe Ivan Koljevic. Kelly bëri edhe 2 asistime e 12 kërcime, ndërsa Koljevic 7 asistime. 15 pikë i dha Arti Hajdari, duke shutuar me saktësi 50% për tre pikë, 4/8.
Koshashënuesit më të mirë të Prishtinës në humbjen e tyre të tetë këtë stinor ishin Shaheed Davis dhe Malcolm Armstead. Davis dha 22 pikë ndërsa Armstead 21. Te Prishtina sonte munguan Dardan Berisha dhe Diamond Stone.
Fitorja, ngjallë shpresat e KB Prizrenit për t’i ikur barazhit për mbijetesë, pasi që tash në pozitë të shtatë (të parafundit) janë me bilanc 7-15 dhe kanë një fitore më pak sesa Bashkimi që është mbi ta. Ndërkaq Prishtina bën hap mbrapa në luftë për pozitën e dytë që dërgon direkt në gjysmëfinale dhe rrezikon humbjen e pozitës së tretë në renditje nga Ylli.