PEJA - SIGAL PRISHTINA
Peja pa problem edhe pa Dardanin, fitore të lehtë ndaj Prishtinës
18 April, 2021 @18:26
Peja ka shënuar fitore të lehtë në ndeshjen e parë të çerekfinales së Play Off-it ndaj Sigal Prishtinës.
Verdhezinjtë në mungesë të liderit të tyre të lënduar, Dardan Berishës, arritën të triumfojnë në Karagaç me rezultat 106-77.
Peja kishte epërsi dyshifrore prej rreth 10 pikëve qysh në çerekun e parë, ndërsa që nga mesi i çerekut të tretë rezultati filloi të thellohej kur prishtinasit vendosën të luajnë në fushë vetëm me lojtarë vendorë duke i larguar amerikanët Johnson-Mack-LeDay.
Rolin e liderit te Peja e mori qendra amerikane, Brandon Walters, i cili ishte i pandalshëm nën kosh duke shënuar hiç më pak se 36 pikë e 16 kërcime.
Ai ishte i ndihmuar po ashtu edhe nga dy qendrat e tjerë, Laron Dendy që shënoi 23 pikë dhe Lis Shoshi që shtoi 18 pikë të tjera.
Ndërkaq te Prishtina koshashënuesi më i mirë ishte Fisnik Rugova me 16 pikë të shënuara.
Peja tani avancon me rezultat 1-0 në serinë e ndeshjeve çerekfinale të Play Off-it.
Ndeshja e dytë e kësaj serie luhet në mesjavë Prishtinë, ndërsa në gjysmëfinale kualifikohet skuadra e cila arrin të shënojë e para dy fitore.