RIKTHIMI!
Peja rikthehet në “Karagaç”
15 March, 2024 @23:27
Përmes një njoftimi sot, KB Peja ka bërë të ditur se rikthehet në palestrën e saj në Pejë, në “Karagaç”. Verdhezinjtë kampionë aktual të Kosovës për gati një muaj përdorën palestrën “Shani Nushi” si palestër për të luajtur ndeshjet si vendas, pasi që patën një prishje në semafor.
Duke falenderuar Gjakovën për mikpritjen e bërë KB Peja ka bërë të ditur sot se prej nesër ekipi i kthehet ndeshjeve në “Karagaç”, ku që nesër do të kenë duelin e radhës në kuadër të Superligës ndaj Yllit. Ndeshja Peja - Ylli nis në ora 19:00.
“KB Peja shpreh falendërimet ndaj Komunës së Gjakovës që nuk hezitoi të na bënte konak në palestrën “Shani Nushi” gjatë problemeve në Pejë.
U ndjemë të mirëpritur në maksimum dhe për disa javë Gjakova u bë shtëpia jonë e dytë.
Pas kësaj periudhe, rikthehemi të luajmë në “Karagaçi”, ku nesër, e Shtunë, 16 mars - përballemi me KB Yllin në folenë e Shqiponjave, me fillim në orën 19:00.” — shkroi KB Peja në njoftimin e saj botuar sot.