Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TREPÇA - PEJA

Peja tregohet heroike! Purvis vendos

Peja tregohet heroike! Purvis vendos


27 November, 2022 @21:41

Peja, përkundër të gjithave, ka arritur të shënojë fitore të madhe në Minatori sonte, me një tresh të Rodney Purvisit në sekondat e fundit të ndeshjes, për triumf 68-71.

Ndeshja ishte ndërprerë për mbi 30-minuta pasi që lojtarët e Pejës u sulmuan nga tifozëria vendase me hudhje të gjësendeve. Palestra nuk u zbraz plotësisht, e verdhezinjtë treguan forcën për të fituar përsëri…

Humbjet nuk kanë të ndalur për Aleksandar Jonchevskin, që erdhi për të rregulluar ekipin nga Ljubomir Minchev, të cilit i ecte gjithçka më mirë me këtë ekip! Ka pësuar për herë të tretë nga ekipet që luftojnë për TOP 4 dhe kështu pas Prizrenit dhe Prishtinës, është mposhtur edhe nga Peja!

Verdhezinjtë kanë qenë më të mirë se Trepça që në fillim të ndeshjes! Ndërsa kanë shkuar në pushim pjesëlojësh me 10 pikë dallim. Në çerek të tretë ndeshja u ndërpre për shkak se nga publiku u hodhën gjësende të forta në drejtim të lojtarëve të Pejës.

TABELA AKTUALE

Çuditërisht palestra nuk u zbraz në tërësi, ndërsa loja vazhdoi pas rreth 40-minutash me lojtarët e ftohtë, të dalë nga ritmi, ndërsa Trepça nisi ngushtimin e epërsisë pejane dhe në fund edhe pse nxorri barazimin në sekondat (2”) e fundit të ndeshjes me Drilon Hajrizin, ka qenë ish-lojtari i tyre Rodney Purvis që 2 sekonda para fundit shutoi për të shënuar tresh dhe ndeshja të përfundojë në të mirë të Pejës, në përfundimtaren Trepça 68-71 Peja [18-22, 11-17, 14-15, 25-17].

Purvis shënoi 14 pikë, 4 asistime e 5 kërcime në fitoren e ekipit të tij, ndërsa me double-double lojën e kreu Brad Waldow që luajti me 22 pikë e 16 kërcime.

Dallimi kryesor në ndeshje u bë te kërcimet! Ku Peja kishe 46 kërcime në krahasim me Trepçën që bëri 29! Ndërsa banka e Pejës dha 15 pikë karshi asaj të mitrovicasve që shënoi 5!

Kendrick Brown dha 21 pikë, 4 asistime e 5 kërcime te Trepça, ndërsa 16 pikë shënoi Drilon Hajrizi. Lojtari i ri i mitrovicasve Cadarian Raines dha 4 pikë në 27 minuta lojë, ndërsa Amin Hot asnjë në 17 minuta lojë.

Fitorja bën Pejën me bilanc 9-2 pas 11 ndeshjeve, ndërsa Trepçës tashmë i neutralizohet bilanci në 6-6!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga