PLAYOFF FINALS | GAME 1
Penza merr avantazhin në finalen e PlayOffit
11 April, 2022 @23:58
Basketbollistet e Penzës, kanë arritur që t’ia japin humbjen e parë atyre të Prishtinës këtë stinor në Superligë, duke i mposhtur në ndeshjen e parë të finales së PlayOffit.
Prishtina, që kishte kryer stinorin e rregullt me të gjitha fitore dhe kaloi pa telashe gjysmëfinalen e PlayOffit ndaj Trepçës, sonte u mposht nga Penza në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, 58-76 [14-8, 14-25, 11-22, 19-21] për të marrë avantazhin në seri 0-1.
Dueli i radhës i finales luhet në Karagaç të Pejës, ndërsa kampione e Kosovës bëhet skuadra që arrin tre fitore së pari.
Hilarie Kaela (në foto) është treguar vendimtare në përballjen e sontme, derisa ka shënuar 32 pikë për ekipin e drejtuar nga Milan Rondovic, bashkë me 5 asistime e 6 kërcime në proces.
Pos saj, lojë të mirë kanë treguar edhe Rael Whitsitt (double-double, 14 pikë, 17 kërcime), Diedona Halitaj me 10 pikë dhe Jeta Zeka, gjithashtu me 10 pikë.
Te Prishtina, që përjetoi humbjen e parë të sezonit, më efikasja ka qenë Stasha Carey me 15 pikë të shënuara, ndërsa me 11 kontribuoi Sarah Mgbeike e 10 të tjera Agnesa Rrahmani.