SIGAL PRISHTINA
Për fitore ndaj bullgarëve
23 October, 2013 @8:58
Ish kampionja e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, që ka nisur me fitore si mysafir garimin në Balkan League, sonte do të debutojë para shikuesve të vetë në këtë garë.
Me fillim nga ora 17:30 ekipi prishtinas do t’ia nis përballjes ndaj Balkanit të Botevgradit bullgar.
Balkan kishte humbur ndeshjen e parë nga Teodoja si mysafir dhe tani do të kërkojë kthjelljen në Prishtinë. Por, prishtinasit përveç fitores kanë imperativ edhe të tregojnë se Kosova është e denjë për organizim të ndeshjeve të cilësisë më të lartë se kjo dhe nuk do të lejojnë befasi.
Të lënduar nuk ka nga tabori prishtinas dhe raportime të tilla nuk ka pasur deri më tani. Te bullgarët basketbollistët më të dalluar në ndeshjen e humbur të xhiros së parë kanë qenë amerikani Westin Lee Eikmeier dhe bullgari Pavel Marinov. Kjo është dyshja te të cilët duhet të kenë kujdes më së shumti prishtinasit, përkundër se nga banka mund të dalin edhe disa befasi.
Në ndeshjet e mbrëmshme të kësaj lige, Kumanova ka arritur të mposht Craiovan në shtëpi, derisa Kozuvi si mysafire ka mposhtur Levskin, duke e regjistruar fitoren e dytë me radhë pas asaj ndaj Pejës.
Kampionja e Kosovës, Peja, këtë xhiro do të pushojë derisa në xhiron e radhës pret Levskin e Sofjes. E Sigal Prishtina do t’i shkojë kampionit të kësaj lige, izraelitëve të Galil Gilboas.
Tabela aktuale dhe rezultatet e ndeshjeve të mbrëmshme.
BALKAN LEAGUE, Sonte:
17:30 Pallati i Rinisë dhe Sporteve - Prishtinë | Sigal Prishtina-Balkan | Gjyqtarë: Zoran Sutulovic; Georgios Tanatzis dhe Ognjen Jokic. | |
18:00 Zupa - Tivat | Teodo-Galil Gilboa | Gjyqtarë: Borislav Peltekov, Aleksandar Pavlov dhe Zoran Mitrovski; |