GERTI

BOROZANI/ Erdis Driza
Përfaqësuesja e Kosovës, opcion për Shimën
2 August, 2015 @16:43
Gerti Shima, basketbollisti nga Shqipëria, i cili në stinorin që e lëmë ishte pjesë e Pejës, nuk e përjashton mundësinë për të luajtur një ditë për përfaqësuesen e Kosovës.
Në një intervistë për portalin sportiv nga Shqipëria, Telesport, Shima tregoi se është i gatshëm për një gjë të tillë.
“Më parë vinin lojtarë kosovarë me kombëtaren shqiptare tani duket se do të ndodhë e kundërta. Lojtarë të këtij niveli (Dardan Berisha, Yll Kaçaniku etj.) të gjithë bashkë do të ishte bukur, atë që kombëtarja shqiptare nuk e bëri dot për 13 vjet. Nëse do më vinte ftesa do e pranoja pa u menduar 2 herë,” tha Shima, derisa kjo deklaratë e tij përkujtoi momentin kur kishte refuzuar të luajë në ndeshjen All-Star të stinorit 2012-13, pasi ishte përzgjedhur në ekipin e të huajve si nënshtetas i Shqipërisë dhe kjo nuk i kishte pëlqyer fare basketbollistit në fjalë.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll vitin e ardhshëm do të jetë pjesëmarrëse e kualfikimeve për Kampionatin Europian, ndërsa për këtë qysh tani kanë filluar të përmenden emrat e ndryshme që mund ta veshin fanellën kosovare.
Ndryshe nga Dardan Berisha (aktualisht në përfaqësuesen e Polonisë) dhe Yll Kaçaniku (ish anëtar i Turqisë), të cilët janë treguar të gatshëm qysh tani të luajnë për Kosovën, FIBA nuk ka dhënë leje për t’iu bashkuar Kosovës basketbollistëve që deri më tani kanë bërë karrierë në Slloveni, Erijon Kastrati dhe Gëzim Morina, megjithëse shpresat për ndryshim të këtij vendimi mbesin ende të gjalla nga ana e FBK-së.
Në mes të tre klubeve!
Gerti për momentin është lojtar i lirë, pasi që ende pa mbaruar stinori i kaluar e kishte prishur bashkëpunimin me skuadrën e Pejës, për shkak të mosmarrëveshjeve nga ana financiare me klubin.
Megjithatë, klubi pejan është i interesuar përsëri ta ketë në skuadër tiranasin, pasi që ai është një basketbollist i pëlqyer edhe për trajnerin Daniel Lutz, që u rikthye në skuadër.
Mirëpo, tani Peja është në konkurrencë edhe me Sigal Prishtinën e Bashkimin, të cilët po ashtu janë të interesuar për Shimën, derisa këtë e konfirmon edhe vetë basketbollisti.
”Është e vërtet, kam pasur oferta nga Prishtina dhe Prizreni, jam në dijeni edhe të kërkesës së Lutz. Ai më ka kontaktuar personalisht sapo ka mbërritur për herë të dytë në Pejë. Por pa u zgjidhur ngërçi financiar i sezonit të fundit nuk do të nis asnjë bisedim me klubin pejan. Megjithatë dëshira për të punuar me ish-trajnerin e Cibonës, Daniel Lutz është shumë e madhe. Do të qëndroj në Tiranë deri në 20 gusht për të vlerësuar ofertat dhe më pas do të udhëtoj sërish në Kosovë për sezonin e ri,” sqaroi Shima.