Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

F3: TREPÇA - PEJA

Përmbysje në çerekun e fundit, Trepça një fitore larg titullit

Foto: KB Trepça

Përmbysje në çerekun e fundit, Trepça një fitore larg titullit


11 May, 2023 @22:10

Një ndeshje fantastike në një atmosferë fantastike u zhvillua sonte mes Trepçës dhe Pejës në “Minatori”!

Ndeshja e tretë e serisë finale në fund u mbyll me rezultat 97-90 në të mirë të Trepçës, që tash e udhëheq serinë finale 2-1 dhe ndodhet një fitore larg titullit kampion.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte kryesisht e barabartë, me të dyja skuadrat që e kishin kohë pas kohe epërsinë e ngushtë në rezultat. Çereku i parë u mbyll 19-21 për Pejën, e më pas skuadrat në pushim shkuan pranë rezultatit 42-46.

Bradly Waldow me 13 pikë ishte më i miri te Peja në pjesën e parë, ndërsa tetë pikët e para të Pejës në këtë takim u shënuan nga Arti Hajdari sonte, që e filloi ndeshjen për mrekulli. Ndërkohë, keq te Trepça e filloi ndeshjen Andrew Gordon, që shkaktoi dy gabime personale në tre minutat e parë të ndeshjes, për t’u detyruar pastaj të mos luajë shumë minuta në dy çerekët e parë. Gordon luajti vetëm 4 minuta në pjesën e parë e në fund gjithsej pati rreth 14 minuta lojë. Në pjesën e parë te mitrovicasit u dallua dyshja Drilon Hajrizi & Mikaile Tmusic me nga 13 pikë secili.

SKEMA E PLAY OFF-IT

Në çerekun e tretë, epërsia e Pejës për një moment shkoi deri në 11 pikë, por mitrovicasit u rikthyen shpejt në lojë dhe nuk lejuan gjatë shkëputjen e lartë në rezultat. Në çerekun e katërt skuadrat hynë pranë rezultatit 67-73 në të mirë të Pejës. Epërsia u bë 6 pikëshe në fund të këtij çereku falë një trepikëshi “me sirenë” të Pejës në fund.

10-minutëshi i fundit filloi me Trepçën tejet të mirë në mbrojtje. Në tre minutat e parë të çerekut të fundit, Peja pati tre topa të humbur radhazi në sulm, ndërkohë që Trepça falë disa momenteve të mira të Erjon Kastratit e barazoi ndeshjen në 76-76 kur kishin mbetur edhe rreth 7 minuta lojë.

E që nga ai “momentum” i krijuar Trepça më nuk kaloi në disavantazh dhe ktheu gjithçka në anën e saj, për ta mbyllur ndeshjen me fitore 97-90 dhe për t’iu afruar kështu titullit kampion në një fitore.

Drilon Hajrizi me 28 pikë (12/14 nga gjuajtjet e lira) dhe Mikaile Tmusic me 25 pikë ishin më të mirët te Trepça sonte, e te Peja u veçuan David Joseph (21 pikë), Arian Qallakaj (19 pikë) dhe Bradly Waldow (17 pikë).

Kujtojmë që Trepça sonte u drejtua nga kryetrajneri Ilir Selmani, me Gençoglun që ndau rrugët me klubin mitrovicas befasisht dje.

Ndeshja e katërt e serisë luhet në Pejë pas 3 ditëve (14 maj). Kampione shpallet skuadra që arrin tri fitore në seri.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga