LAMTUMIRA
Polonia falenderon Dardanin
25 August, 2015 @12:49
Pas lajmit të djeshëm se Dardan Berisha në marrëveshje me drejtuesit e përfaqësueses polake i ka thënë ‘jo’ ndërrimit të pozitës dhe është tërhequr nga emrat që do të paraqiten në Eurobasket 2015, trajneri i këtij vendi ka falenderuar kosovarin për kontributin e dhënë.
I palodhshëm!
“Falenderoj Dardanin për punën e madhe dhe përkushtimin në përiudhën përgatitore. Ai është munduar shumë, por ne kërkuam prej atij që të luaj në pozitën jo natyrale të tij, derisa Dardani nuk është ndier komod në atë pozitë,” ka thënë Mike Taylor, trajneri amerikan i Polonisë.
Vendosëm bashkë - Mike Taylor, trajner i Polonisë
“Bashkë, në një bisedë konstruktive kemi vendosur që më së miri është për Poloninë që në përbërje të jetë playmakeri i tretë klasik. Kështu bashkë me Dardanin vendosëm që të ndërrohet përbërja,” ka thënë ai për faqen zyrtare të Federatës polake të basketbollit.
Dardan Berisha luan në pozitën 2, derisa reprezentacioni e kishte zgjedhur atë për pjesëmarrje në Eurobasket 2015, duke kërkuar që ai të luaj 1-shin.
Koncentrimi në ekipin e ri
Dardanit nuk i kishte konvenuar kjo zgjidhje dhe i ka thënë jo Polonisë. Kjo pritet që të jetë hera e fundit që Berisha ka luajtur për përfaqësuesen polake, pasi që prej pranimit të Kosovës në FIBA, ai ka thënë se në ndeshjet e para të përfaqësueses seniore të Kosovës, do të jetë në dispozicion të vendit.
Ish basketbollisti i Pejës dhe Sigal Prishtinës këtë verë ka nënshkruar me ekipin më të famshëm kroat, Cibona, dhe tash e tutje do të vazhdojë përgatitjet me ekipin e tij para stinorit të ri, që pritet të jetë koxha i ngarkuar për Berishën, që është zgjedhur basketbollisti më i mirë në vend në tre stinorët e fundit si dhe MVP i ligës ballkanike stinorin që shkoi.