AUDRIUS PRAKURAITIS
Prakuraitis: Finalja do të jetë lojë taktike
17 February, 2017 @22:22
Trajneri i Sigal Prishtinës, Audrius Prakuraitis, është shprehur i lumtur për kualifikimin e skuadrës së tij në finale të Kupës, pasi e mposhti Trepçën.
Prakuraitis tha se skuadra e tij arriti finalen falë mbrojtjes së fortë, derisa pranoi që në sulm jo gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë.
“Atmosfera ishte shumë e mirë. Ne u befasuam pasi që natyrisht ata ishin sikur të luanin me gjashtë lojtarë në fushë, kështu që për ne ishte shumë e vështirë. Por ne luajtëm mbrojtje të shkëlqyer dhe kjo ishte çelësi i fitores. Në sulm nuk ishin të mirë, dështuam në shumë tentime dhe në gjuajtje të lira,” tha trajneri lituanez për kanalin transmetues të ndeshjes, Supersport.
Më tej, ai foli edhe për finalen, duke bërë të ditur se e njeh mirë trajnerin e Pejës, Aleksandar Todorov.
“Kundër Pejës do të jetë ndeshje e vështirë Unë e njoh trajnerin mjaft mirë, si dhe edhe ai më njeh mirë mua. Kështu që do të jetë një lojë interesante taktike,” përfundoi ai.