SUPERKUPA: PRISHTINA - BASHKIMI

Foto: FBK
Prishtina 100% vendore, fiton Superkupën e Kosovës
25 October, 2020 @18:54
Sigal Prishtina me basketbollistë të gjithë vendorë ka arritur të fitojë trofeun e Superkupës së Kosovës në basketboll, duke e mposhtur Bashkimin në finale të garës me rezultat minimal 74-73 [12-11, 23-23, 23-23, 16-16].
Një kosh i Edmond Azemit në fund të ndeshjes, 6 sekonda pa përfunduar loja, i ka dhënë fund duelit dramatik, që kishte shumë ndërrime rezultati në lojë.
Derisa Prishtina 6 minuta para përfundimit të lojës kishte epërsinë më të madhe, prej 7 pikëve, 64-57, Bashkimi arrin të rikthehet dhe të merr epërsinë, të cilën e mbajti deri në 6 sekondat e fundit të lojës, 72-73.
Më efikasi te Prishtina në fitore ka qenë Arian Qallaku me 22 pikë, 7 kërcime e 2 asistime. Ndërsa me 19 pikë kontribuoi Altin Morina që shtoi edhe 6 asistime e 6 kërcime në fitore.
Edo Azemi dha 13 pikë, ndërsa Fis Rugova shtoi 11 sosh e 9 kërcime në fitoren e madhe të ekipit bardhekaltër me Andin Rashicën trajner, për të ngritur Superkupën në fund.
Te Bashkimi, që ia dhuroi Prishtinës trofeun në fund, për shkak të shumë gabimeve në sulmet e fundit, më efikasi ka qenë Musab Mala.
Mitrovicasi dha 19 pikë sonte, ndërsa malazezi Nikola Vukcevic përkundër se shënoi 17 pikë, nuk ishte në ditën e tij duke shutuar 1/8 për tre pikë.
Shaq Carter kreu ndeshjen me double-double prej 10 pikëve e 13 kërcimeve, kurse Sean Hoehn që gaboi dy herë në fund të ndeshjes dha 11 pikë.
Me këtë, Prishtina arrin trofeun e parë të edicionit 2020/21, të cilën e ngriti kapiteni legjendar i skuadrës Edmond Azemi, që njëkohësisht dha edhe pikët vendimtare në ndeshje.