FSHEHIN HUMBJEN!
Prishtina fshiu postimet e ‘fitores’
7 September, 2017 @8:16
Skuadra e Sigal Prishtinës më 5 shtator ka postuar në faqen e saj të Facebookut se ka qenë në avantazh pas pjesës së parë në miqësore ndaj Mornarit të Tivarit, Mornar 35-43 Prishtina.
Më pas, kampioni i shumëfishtë i Kosovës që po përgatitet për debutim në Ligë të Kampionëve ka postuar se edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes, Mornar 70-74 Prishtina.
Më pas këto postime u zhdukën, më 6 shtator.
Kjo pasi që shpejt u zbulua nga ndjekës të shumtë të ekipit në Facebook, se në të vërtetë Prishtina e ka humbur ndeshjen dhe atë thellë, 92-69, derisa ekipi nuk ka qenë në avantazh as në pjesën e parë, që figuron të jetë 43-35 në të mirë të Mornarit.
Borozani.com ka kërkuar sqarim për këtë lëshim të klubit përmes e-mailit, por përgjigje nuk ka marrë ende. Njejtë, klubi bardhekaltër as që ka postuar rezultatin e ndeshjes, por as së paku të demantojë rezultatin e postuar nga ekipi i Mornarit.
Ndërsa faqja zyrtare e Mornarit ka bërë të ditur se Prishtina në një moment, pas gabimit të dytë teknik të dhënë nga referi ndaj bankës së Prishtinës, ka tërhequr ekipin nga parketi, gjatë rezultatit 71-57 në të mirë të Mornarit, edhe 8.29 minuta para fundit të ndeshjes.
“Fatmirësisht, prishtinasit kuptuan shpejt se kjo është vetëm një ndeshje miqësore dhe para tyre kanë një ekip të respektuar, kur pas 5 minutave u kthyen në terren dhe e vazhduan takimin,” ka shkruar postimi i Mornarit në Facebook.
Mornar e fitoi ndeshjen 92-69 (18-14, 25-21, 24-20 dhe 25-14).
Ndeshja e zhvilluar para 200 shikuesve në Topolica të Tivarit u drejtua nga referët Rados Savovic, Duro Kicovic dhe Sanjin Kertbijev (të gjithë nga Mali i Zi).
Dueli i radhës miqësor për Prishtinën zhvillohet sonte, ku ekipi është mysafir i Gjevgjelisë.