MESFUSHOR ME PËRVOJË

Foto: FCPrishtina/ fb
Prishtina zyrtarizoi Gjelbrim Taipin
3 July, 2025 @11:11
Prishtina ka bërë të ditur se ka shtuar përvojë në mes të fushës së ekipit, ndërsa ka angazhuar mesfushorin e deritashëm të Partizanit të Tiranës, Gjelbrim Taipin.
Taipi 32-vjeç që ka përvojë edhe nga futbolli zviceran, së fundi ka qenë pjesë e Kukësit dhe Partizanit në Kategorinë Superiore. Pasi që Partizani dhe Taipi u ndanë, Prishtina e mori atë si lojtar të lirë në ekip.
I lindur në Bujanovc, Taipi luan në pozitën e mesfushorit qendror ku më tepër kryen detyra defanzive, por njihet edhe me lidhje të lojës, duke nxjerrë mesfushën drejt fazës ofanzive. Përvoja e tij nga Shkëndija, St Gallen, Grasshopers, Schaffhausen, etj. pritet të jetë mjaft e rëndësishme për bardhekaltërit nga kryeqyteti.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem FC Prishtinës. Është një klub me traditë dhe tifozëri të madhe. Do të jap gjithçka për t’i ndihmuar ekipit në çdo ndeshje.” — është cituar Taipi nga faqja zyrtare e Prishtinës.
Përndryshe, ekipi fitues i Kupës së Kosovës nuk ka bërë të ditur për kohëzgjatjen e kontratës dhe detaje tjera të marrëveshjes me Gjelbrimin.