PRIZRENI'16 - TIRANA
Prizreni ia bën 2-0 Tiranës
26 January, 2022 @21:17
Edhe pse sot më vështirë, Prizreni ka përmbysur Tiranën në pjesë të dytë të ndeshjes që u luajt në 13 qershori të Suharekës, për të regjistruar fitoren e gjashtë të stinorit në Ligë Unike.
Kjo ka qenë fitorja e dytë e Prizrenit’16 ndaj Tiranës në kuadër të Ligës Unike këtë stinor. Basketbollistët bardhezi të Prizrenit kanë qenë nikoqir në Suharekë sonte, pasi që Sezai Surroi është në temperatura polare dhe Komuna e dytë më e madhe në Kosovë dhe e vetmja me dy ekipe në Superligë, ende nuk ka gjetur zgjidhje për ngrohjen e palestrës.
Prizreni ka qenë në disavantazh pas çerekut të parë të ndeshjes. Atë e zbutën pak deri në fund të pjesës së parë, ku në pjesë të dytë hynë me rezultat 49-52. Pas kësaj djelmoshat e Arbnor Rifatit morrën epërsinë dhe marshuan drejt fitores, duke siguruar gjithçka në çerek të fundit për përfundimtaren 107-89 [22-27, 27-25, 25-17, 33-20].
Courtney Fells ka qenë i papërmbajtshëm për kundërstharin sonte. Ai ka dhënë 33 pikë për Prizrenin, ndërsa ka shënuar tetë herë nga 13 tentime për tri pikë. Kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm sonte, pasi që ka regjistruar edhe nëntë kërcime e pesë asistime në fitoren ekipit të tij.
Pos Fells, Arti Hajdari ka qenë i mirë me 20 pikë. Hajdari shutoi 3/7 për tri pikë, ndërsa bëri edhe tre asistime.
Mirëpo, vetëm njëri nga lojtarët e Prizrenit’16 kreu ndeshjen me double-double, e ai ka qenë lojtari më me përvojë në skuadër Ivan Koljevic. Koljevic luajti me 12 pikë e 16 asistime në fitoren e ekipit të tij.
Te mysafirët nga kryeqyteti i Shqipërisë të jashtëzakonshëm janë treguar Juljan Hamati dhe Endrit Hysenagolli. Të dy përfunduan ndeshjen me double-double, por që nuk mjaftoi për fitoren e skuadrës së tyre.
Hamati përfundoi ndeshjen me 23 pikë e 12 kërcime, shto edhe tetë asistime. Ndërsa Hysenagolli dha 34 pikë e 18 kërcime në këtë duel.
Në fund, Prizreni’16 bën bilansin 6-3 pas kësaj fitoreje ndërsa Tirana bëhet me bilans negativ, 4-5.