Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KJO, PO QË ËSHTË SHEMBULL PËR SECILIN EKIP!

Rahoveci arrin fitoren e dytë me radhë në shtëpi

Rahoveci arrin fitoren e dytë me radhë në shtëpi


11 March, 2023 @21:57

Ajo që po e bën Rahoveci këtë stinor në Superligë, nuk e ka bërë asnjë ekip deri tash që ka qenë i vulosur për pjesën më të madhe të stinorit në pozitë të fundit të renditjes tabelare.

Loja luftarake dhe kërkuese e vreshtarëve me trajnerin Daniel Nelson është për çdo lavdatë, ndërsa pas Vëllaznimit ata kanë mposhtur edhe Bashkimin në Mizahir Isma, duke e regjistruar fitoren e dytë me radhë në shtëpi, për herë të parë këtë stinor - duke mos u dorëzuar derisa kanë gjasa edhe minimale për mbijetesë në Superligë.

Fitorja e Rahovecit ka ardhur falë lojës më të mirë të tyre në çerek të parë të ndeshjes, kur krijuan distancë 9-pikëshe ndaj kundërshtarit. Më pas, gjithçka shkoi barabartë, për të përfunduar ndeshja 101-91 [29-20, 20-20, 25-24, 27-27]. Përndryshe, kjo është ndeshja e dytë radhazi që Bashkimi pranon mbi 100 pikë në ndeshje, pas asaj ndaj Pejës në kuadër të BIBL në mesjavë.

TABELA AKTUALE

Ish-lojtari i Bashkimit, Edmond Kryeziu ka qenë koshashënuesi më i mirë ndeshjes me 24 pikë të shënuara, ndërsa ka bërë edhe 3 asistime e 4 kërcime në fitore. Edo, ka shutuar 4/9 për tri pikë sonte. Jack Pagenkopf ka dhënë 20 pikë, 6 asistime e 6 kërcime, kurse Gary Blackston ka shënuar 17 pikë, 3 asistime e 8 kërcime.

Bashkimi, pas pranimit të mbi 100-pikëve të radhës tashmë duket se është në krizë me mbrojtjen e ekipit, ndërsa sa i përket lojës Dajuan Graf që ka luajtur pa pushim sonte ka dhënë 20 pikë (më së shumti në ekipin prizrenas), duke bërë edhe 5 asistime e 6 kërcime në proces. Në këtë ndeshje nuk luajti as Curtis Jones, për të cilin ekipi bëri të ditur se ka ndarë rrugët pak para lojës. Samardo Samuels dha 16 pikë, 4 asistime e 6 kërcime, ndërsa mister double-double i Bashkimit, shkodrani Daniel Lekndreaj dha 16 pikë e 13 kërcime në këtë duel.

Rahoveci që po mbijeton së paku derisa Prizreni të regjistrojë fitoren e radhës pas 25 ndeshjeve ka bilans 4-21, ndërsa Bashkimi që ka vulosur pozitën e pestë në renditje dhe pozitën për PlayOff, është në 11-14.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga