BASHKIMI - RAHOVECI
Rahoveci mposht Bashkimin, vazhdon luftën për vend të dytë
23 March, 2019 @20:34
Finalisti i Kupës së Kosovës, Rahoveci, ka shënuar fitore ndaj kampionit aktual, Bashkimit, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, në kuadër të xhiros së XXIII në Superligë.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rivalitet të barabarë, ku herë njëra e herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, derisa në pushim Rahoveci shkoi me 4 pikë epërsi, 38-42.
Vreshtarët dallimin në lojë e bënë në çerekun e tretë, të cilin e fituan me 13 pikë dallim, 15-28, e që kjo ishte edhe pika thyese e ndeshjes. Vetëm gjatë këtij çereku, amerikani i Rahovecit, Fred Richardson, shkëlqeu duke shënuar 17 pikë, derisa skuadra e tij e priti periudhën e fundit me epërsi të thellë prej 17 pikëve, 53-70.
Bashkimi u mundua të bëjë diç më shumë në çerekun e fundit dhe falë mbrojtjes së fortë arriti që ta shkrijë disavantazhin deri në 2 pikë, 75-77, kur kishin mbetur vetëm edhe 40 sekonda deri në përfundim të ndeshjes.
Por në momentet më kritike, përsëri ishte Richardson ai i cili ruajti gjakftohtësinë te skuadra mysafire dhe me shënimet kryesisht nga gjuajtjet e lira, kontribuoi në fitoren e skuadrës së tij me rezultat 76-80.
Jordan Capps i Bashkimit dhe Fred Richardson i Rahovecit, ishin më të dalluarit në ndeshje duke shënuar secili nga 30 pikë, derisa Deshon Minnis i Rahovecit luajti me triple-double prej 11 pikëve, 12 kërcimeve dhe 10 asistimeve.
Me këtë fitore, Rahoveci vazhdon luftën për pozitën e dytë së bashku me Yllin, pozitë kjo e cila siguron direkt gjysmëfinalen e Play Offit, derisa Bashkimi me humbjen e sontme mbetet në pozitën e pestë me 11 humbje.
Javën e ardhshme Bashkimi luan derbin lokal ndaj Prizrenit, kurse Rahoveci do të ketë punë me rivalin e drejtpërdrejtë, Yllin.