RAHOVECI - PRIZRENI

Foto: Shqipron Berisha / KB Rahoveci
Rahoveci triumfon ndaj Prizrenit në Ligën Unike
2 February, 2022 @18:44
Në ndeshjen e luajtur sonte në kuadër të xhiros së dhjetë të Ligës Unike së basketbollit, Rahoveci ka arritur ta mposhtë skuadrën e Prizrenit.
Kjo ndeshje u mbyll me rezultat 98-92 në të mirë të Rahovecit.
28-26 e 24-19 për Rahovecin përfunduan dy çerekët e parë, për ta çuar skuadrën vreshtare në pushim mes pjesëve me epërsi 7 pikëshe.
Më pas, Prizreni u tregua më i mirë në çerekun e tretë (17-24), e kështu çereku i fundit i ndeshjes u bë më interesant. Megjithatë, Rahoveci nuk lejoi përmbysje. “Vreshtarët” çerekun e fundit e fituan 29-22 dhe kështu e mbyllën ndeshjen me fitore.
Milik Yarbrough ishte fantastik te Rahoveci sonte. Ai luajti me 31 pikë, 7 kërcime e 5 asistime. Paraqitje të mira patën edhe Fisnik Rugova (24 pikë, 10 kërcime, 4 asistime) dhe Jervon Pressley (21 pikë, 8 kërcime, 1 asistim), e me triple-double ndeshjen e mbylli Musab Mala (14 pikë, 11 kërcime, 10 asistime). Përveç katërshes së përmendur, te Rahoveci edhe 8 pikë shtoi Cavon Baker dhe kjo ishte e tëra, pasi që e gjithë banka rezervë e Rahovecit e mbylli ndeshjen pa e shënuar as edhe një pikë.
Sa i përket Prizrenit, Courtney Fells me 24 pikë, 12 kërcime e 4 asistime ishte më i miri sonte, ndërkohë që u veçuan edhe Arti Hajdari (20 pikë, 3 kërcime, 3 asistime) e Ivan Koljevic (18 pikë, 10 kërcime, 6 asistime).
Pas 10 xhirove në Ligën Unike, Rahoveci ka bilanc 4-6, kurse Prizreni tashmë ka bilanc 6-4.
Xhiron që vjen, Rahoveci i shkon Yllit më 2 mars, kurse Prizreni i shkon Vllaznisë së Shkodrës më datën 3 mars.