ANDIN RASHICA
Rashica: U vërejt mungesa e dëshirës për fitore, bëmë shumë gabime
24 February, 2021 @23:38
Ndihmëstrajneri i Sigal Prishtinës, Andin Rashica, pas ndeshjes kundër Vëllaznimit ku skuadra e tij pësoi humbje me rezultat 74-86, kritikoi kryesisht lojën e dobët të prishtinasve, duke pranuar se kanë bërë gabime të shumta si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
“Prej fillimit të takimit u vërejt se Vëllaznimi ishte më i motivuar se ekipi ynë. Patëm energji më të mirë dhe luftuan më tepër. Tek ne u vërejt mungesa e dëshirës për fitore që nga fillimi i takimit dhe asnjëri prej lojtarëve nuk e pati dëshirën për të luftuar, sidomos në fazën e mbrojtjes. Kemi bërë tepër lëshime, shumë gabime në fazën e mbrojtjes prej të cilave kemi marrë pikë të lehta dhe sidomos në vijën e fundit ku kemi marrë shumë shënime për tri pikë. Kurse në fazën e sulmit thuajse nuk kemi luajtur asnjë aksion të rrjedhshëm dhe asnjëherë nuk ka pasur qarkullim të topit. Kemi pasur lojë individuale e cila na ka dëmtuar gjatë tërë takimit”, tha Rashica.
Kujtojmë se Prishtina në këtë ndeshje kishte hyrë si fituese e Kupës së Kosovës, por që paraqitja në fushë e lojtarëve kishte dallim të madh me atë që e pamë ditë më parë në Final 8.
Humbja ndaj Vëllaznimit iu faturua kryetrajnerit Dragan Radovic, i cili pas ndeshjes dha dorëheqje.