LINDON EMËRLLAHU NË CLUJ

Fotot: CFRCluj/ fb
Rekord-transferi i ligës rumune, krahasohet me mesfushorin kroat
11 February, 2025 @21:49
Ditë më parë u bë i ditur lajmi se mesfushori i Ballkanit dhe i reprezentacionit të Kosovës, Lindon Emërllahu, ka arritur marrëveshje me ekipin rumun CFR Cluj. Më pas, mediat rumune bën të ditur lajmin edhe nga ana e tyre, derisa Ballkani e Cluj dolën me njoftim zyrtare.
Futbollisti më i mirë i vitit 2024 në Kosovë, Emërllahu, i lindur në Mushtisht të Suharekës dhe i rritur te FC Ballkani që prej grupmoshave të reja, që luan në pozitën e mesfushorit qendror dhe defanziv e në Transfermarkt vlerësohet me 1 milionë euro, është lojtar më i ri i ekipit rumun në fjalë.
Por, këtu nuk përfundoi gjithçka! Ai është së pari transferi më i shtrenjtë i afatit kalimtar dimëror në ligën elite të Rumanisë. Me çmim prej 700 mijë euro të paguara drejt Ballkanit, bashkë me 15% të pronësisë, Lindoni është transferi më i paguar në këtë afat kalimtar aty.
Për më tepër ish-lojtari, tash kreu i ekipit rumun Ioan Varga ka thënë se ekipi ka bërë punë të mirë me marrjen e Emërllahut nga Ballkani. Bile, ai ka thënë se ai është 6-shja më e mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani, shkruan Digisporti rumun.
“Kemi bërë punë shumë të mirë në ditët e fundit të afatit kalimtar duke e marrë Lindon Emërllahun nga Ballkani. Ai është ndoshta 6-shja më e mirë që ndonjëherë ka ardhur në Rumani. Kemi paguar 700 mijë euro për kartonin e tij, plus 15% të transferit të tij të ardhshëm ia kemi ish-ekipit,” ka thënë ai.
“Ai është futbollist i jashtëzakonshëm. Ai do të lë gjurmë menjëherë në lojën e Clujit. Ka pasur këtu edhe lojtarë tjerë nga Kosova, por Emërllahu është më i vlefshmi që ka sjellë menaxhmenti. Këtë transfer e kemi mbajtur sekret deri tash, pasi që kemi kërkuar që lojtari të jetë vetëm i yni.”
“Ai është lojtar që mund të bëj dallimin në lojë dhe mund të na ndihmojë ta fitojmë titullin. Nëse do të mund ta krahasoja me dikë, ai do të ishte Mateo Kovacic i Manchester Cityt,” ka thënë Varga.