FITORJA E RADHËS

Fotot: FFK
Rrahmani me hat-trickun e parë, Kosova mposhti edhe Komoret
Teksti: FFK
9 June, 2025 @23:20
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore të qershorit, duke e mposhtur Kombëtaren e Komoreve, me rezultat 4:2, sfidë e zhvilluar të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pavarësisht paraqitjes me formacion të përzier për dallim nga ndeshja e parë, përzgjedhësi Franco Foda arriti të sigurojë një tjetër fitore me vlerë, ku në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi Albion Rrahmani. Futbollisti i Sparta Pragës pas dy golave me Armeninën, kësaj radhe realizoi “hat-trick” dhe konfirmoi formën e tij të shkëlqyer me fanellën e Kosovës.
Ndeshja nisi me golin e hershëm të mysafirëve, kur në minutën e 12-të, Said Bakari kaloi Komoret në epërsi. Por reagimi i Kosovës ishte i shpejtë. Në minutën e 19-të, Rrahmani barazoi rezultatin me një goditje të fuqishme nga brendësia e zonës, duke vendosur baraspeshën që do të zgjaste deri në pushim.
Në pjesën e dytë, Dardanët morën kontrollin e ndeshjes. Rrahmani shënoi golin e dytë personal dhe të epërsisë për Kosovën në minutën e 59-të, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare. Ndërkohë, në minutën e 79-të, ai kompletoi “hat-trickun” me një tjetër finalizim të saktë, duke e dërguar rezultatin në 3:1.
Komoret ngushtuan epërsinë në minutën e 85-të përmes Said Rafikit, por Kosova e mbylli ndeshjen me stil. Fisnik Asllani, që u inkuadrua në minutën e 86-të në vend të Rrahmanit, shënoi golin e tij të parë me fanellën e Kosovës në minutën e 92-të, duke vulosur fitoren 4:2.
Dardanët rikthehen në aksion në shtator për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.