DUELI VENDIMTAR!

Pamje nga arkivi i ndeshjes Llapi-Vushtrria
Barazhi për Superligë: Vushtrria - Llapi në “Fadil Vokrri”
26 May, 2025 @15:59
Është vendosur! Dueli i barazhit ndërmjet ekipit që fitoi playoffin në Ligë të Parë, Vushtrrisë, dhe skuadrës që përfundoi në pozitë të tetë në Superligë, Llapit do të luhet në “Fadil Vokrri”.
Kjo është hera e parë që dueli vendimtar për anëtarin e fundit të Superligës luhet në “Fadil Vokrri”. Njoftimin e ka dhënë FFK-ja sot, pas orës 15:00 duke bërë të ditur se dueli do të zhvillohet të shtunën më 31 maj 2025.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ndeshja e barazhit për një vend në Superligën e Kosovës, ndërmjet Vushtrrisë dhe Llapit, do të zhvillohet më 31 maj 2025, në ora 16:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë,” shkroi FFK-ja në njoftim.
Kujtojmë, Vushtrria kishte përfunduar në pozitë të dytë në Grupin B të Ligës së Parë, ndërsa në playoff mposhti Lirinë 3-1, ku këta të fundit ishin të dytit në Grupin A të Ligës së Parë.
Llapi në anën tjetër, në xhiron e fundit të stinorit siguroi pozitën e tetë edhe matematikisht, duke i ikur rënies direkte dhe tani më do të ketë rastin që të shpëtojë stinorin përmes duelit të barazhit.
Përballja që nis në ora 16:00 të shtunën është një ndeshje dhe mund të shkojë deri te penalltitë, fituesi i së cilës siguron Superligën për stinorin tjetër. Humbësi i këtij dueli stinorin 2025/26 e kalon në Ligë të Parë - që nga stinori i radhës do të jetë i përbashkët ku do të marrin pjesë 18 ekipe.