VAZHDON

Ferizaji vazhdon me Arsim Abazin
30 May, 2025 @15:24
Pas një stinori tepër të mirë, që prej luftës për mbijetesë u shndërruar në garë për “biletë evropiane” të cilën Ferizaji nuk e arriti vetëm në xhirot e fundit të stinorit, ekipi në fjalë ka zyrtarizuar vazhdimin e kontratës së trajnerit të tyre, Arsim Abazi.
Ferizaji iu kthye Superligës në 2024/25, ndërsa fundi i stinorit i priti ata me rezultate të mira dhe me pikë që deri në xhiron e parafundit mund t’ua siguronte atyre garat evropiane për herë të parë në histori.
Por, edhe pse kjo nuk ndodhi, arritja e objektivave dhe lojërat e mira, veçanërisht si vendas bën që kryesia t’i besojë plotësisht Abazit për të vazhduar misioinin me ferizajasit.
“FC Ferizaj njofton se trajneri Arsim Abazi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të shtabit teknik edhe për sezonin garues 2025/26.
Pas një pune të përbashkët dhe një përvoje pozitive gjatë sezonit të kaluar, klubi dhe trajneri Abazi kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit. Vlerësojmë lart përkushtimin, profesionalizmin dhe qasjen serioze që ai ka sjellë në drejtimin e ekipit tonë.
Me këtë vazhdimësi, synojmë të ruajmë stabilitetin dhe të ndërtojmë mbi bazat e vendosura, duke punuar për një sezon të suksesshëm në fushë dhe jashtë saj.
FC Ferizaj do të vazhdojë me përgatitjet për sezonin e ri, dhe së shpejti do të njoftojmë për zhvillimet e tjera në kuadër të ekipit.” - shkroi njoftimi i klubit në fjalë.