Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FT: KOSOVA - SLLOVAKIA

Shuhen shpresat, Kosova eliminohet me humbje

Shuhen shpresat, Kosova eliminohet me humbje


20 February, 2021 @20:49

Përfaqësuesja e Kosovës është eliminuar nga gara për kualifikim në Kupën e Botës 2023.

Ekipi ynë ngriti flamurin e bardhë qysh në fazën e parë të parakualifikimeve, pasi nuk arriti ta kalojë Grupin B ku për kundërshtarë e kishte Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun.

Dardanët sot në ndeshjen e fundit të grupit u mposhtën nga Sllovakia me rezultat 73-77, ndeshje kjo e cila ishte jetike për ta përcaktuar skuadrën e dytë që do të kualifikohej në fazën e dytë të parakualifikimeve.

Mungesa e përqëndrimit të lojtarëve tanë në minutat e fundit u vërejt sidomos në fazën ofansive, pasi kishte tentime të shumta të huqura për tri pikë, të cilat shpesh herë ishin nga pozita të papërshtatshme për të gjuajtur.

Sllovakët këtë e shfrytëzuan në mënyrën më të mirë dhe falë edhe epërsisë së konsiderueshme që e kishin krijuar në fillim të çerekut të katërt, arritën të sigurojnë një fitore të vështirë por edhe të merituar.

Ndeshja sikur kishte dy anë të ndryshme të medaljes, pasi që në pjesën e parë Kosova ishte ajo e cila dominoi, kurse në pjesën e dytë rolin e dominuesit e mori Sllovakia.

Në fitoren e skuadrës kundërshtare ishte lojtari më me përvojë, Vladimir Brodziansky, ai i cili mori përgjegjësinë mbi supet e veta duke treguar paraqitje të shkëlqyer si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Brodziansky takimin e mbylli me double-double prej 28 pikë dhe 18 kërcime, ndërsa nga loja kishte 80% të saktësisë.

Te ekipi ynë Dardan Berisha ishte koshashënuesi më i mirë me 24 pikë, por që kishte tentime të shumta të pasakta nga loja, duke shënuar vetëm 10 herë nga 27 tentime sa kishte.

Me këtë humbje Kosova humbi edhe mundësinë për t’u kualifikuar tutje në fazën e dytë të parakualifikimeve, pasi që e përfundoi këtë fazë në vendin e fundit të grupit.

Kurse kualifikimit iu gëzuan Islanda dhe Sllovakia, të cilët tani do t’i masin forcat me skuadrat kundërshtare në fazën e dytë.

Për ndryshe, për Kosovën kjo ishte humbja e katërt rresht, pas dy fitoreve të para që i kishte në grup.

TABELA PËRFUNDIMTARE E GRUPIT B:

1. Islanda 5-1
2. Sllovakia 3-3
3. Luksemburgu 2-4
4. Kosova 2-4


 
Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja