PARA FINALES
Sigal Prishtina për librat e historisë
Shkruan: balkanleague.net
6 April, 2016 @0:04
Pasi që dje kishin shkruar për Mornarin, sot faqja zyrtare e BIBL ka shkruar rrugëtimin dhe mundësitë e Sigal Prishtinës në finalen e këtij stinori të ligës ballkanike.
Sigal Prishtina do të kërkojë të bëhet ekipi i dytë në histori të BIBL që arrin të fitojë titullin kampion dy herë me radhë.
Me dy trofe radhazi
Këtë deri sot e ka arritur vetëm Galil Gilboa, në vitin 2012 dhe 2013. Ndërsa nga dy herë ligën ballkanike e kanë fituar vetëm Galil Gilboa dhe Levski Sofia.
Sigal Prishtina nuk ka pësuar këtë vit në asnjë ndeshje të ligës ballkanike duke arritur 10 fitore me radhë në këtë garë.
Gjatë këtij stinori Sigal Prishtina ka bërë ndryshime të mëdha si në ekip ashtu edhe në bankë, kur ndërroi trajnerin.
Rruga për finale
Pas nismës së ngadalshme Sigal Prishtina u këndell tërësisht në fillim të këtij viti për të arritur me ecuri perfekte nga faza e dytë grupore në gjysmëfinale, ku me dy fitore nga dy ndeshje eliminoi Beroen.
Të dalluarit
Mohamed Abukar është njëri ndër më të mirët e ekipit këtë stinor. Ai ka pasur mesatare prej 18.6 pikëve, 4.8 kërcimeve dhe 2.2 asistimeve për ndeshje. Nëse shtojmë këtu edhe Dardan Berishën që në 2-3 muajt e fundit iu kthye formës së tij dhe Jason Washburnin që luan me mesatare prej 17.1 pikëve dhe 8.7 kërcimeve për ndeshje - atëherë krijohet treshja e fortë e ekipit.
Arma
Sigal Prishtina është ekipi me mesatare më të mirë të koshave të shënuara për ndeshje, 82. Terreni vendas është arma më e fortë e ekipit për shkak të publikut.
E gjithçka sa i përket titullit do të vendoset pas ndeshjeve të 12 dhe 20 prillit.