KENAN SPAHI
Spahi debuton me Fenerin
24 September, 2013 @20:54
Talenti kosovar, Kenan Spahi, ka realizuar një debutim të suksesshëm sot me fanellën e skuadrës së tij të re, Fenerbahçe Ulker, e cila u mposht në ndeshjen përgatitore ndaj Besiktasit, skuadër kjo e cila javë më parë i zhvilloi dy miqësore në Kosovë me Sigal Prishtinën dhe i fitoi që të dyja.
Besiktasi i drejtuar nga ish trajneri i Prishtinës, Ahmet Kandemir, fitoi me rezultat 49-56, ndërsa Spahi ishte ndër më të dalluarit te skuadra humbëse.
Basketbollisti 18 vjeçar luajti me 8 pikë, sikurse edhe Bo McCalebb dhe Ayberk Olmaz, derisa më shumë se këta shënoi vetëm basketbollisti me origjinë boshnjake, Emir Preldzic (17).
Në të vërtetë, kjo ndeshje e cila shërbeu më shumë si ndeshje përgatitore për të dyja skuadrat, u zhvillua në kuadër të turneut ndërkombëtar, Rixos Cup, që po mbahet në Stamboll, ku pjesëmarrës janë edhe skuadrat si Olympiacos, Zalgiris, Anadolu Efes etj.
Vlenë të ceket se ekipi i Spahiut, në këtë takim u paraqit pa shumicën e lojtarëve kyç si Linas Kleiza, Bojan Bogdanovic, Luka Zoric dhe Nemanja Bjelica, të cilët ende nuk janë bashkuar me skudrën pasi që kanë pasur obligime me përfaqësueset e tyre në Kampionatin Europian, Eurobasket 2013.