KOSOVA A
Stërvitjet për ndeshjet vendimtare, vazhdojnë me plotë intensitet
11 February, 2021 @19:26
Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar edhe sot me stërvitjet e rregullta në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e fundit të grupit parakualifikues.
Nën urdhërat e selektorit Christos Marmarinos, basketbollistët kanë zhvilluar stërvitjet duke nisur nga të lehta muskulare e deri te ndeshjet e lehta mes vete për t’i përcaktuar taktikat për përballjet vendimtare.
Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.