NË PALLATIN E RINISË
Superderbi i parë i vitit, sonte
7 February, 2016 @11:58
U takuan tre herë këtë stinor dhe të tre ndeshjet e fitoi Peja. Mirëpo, kësaj radhe, Sigal Prishtina duket të jetë më e motivuar se kurrë më parë.
Kanë ndërruar një pjesë të ekipit, bashkë edhe me trajnerin, për të kapur serinë prej 7-0 në të gjitha garat që prej janarit, derisa ekipi beson për sonte se - Sigal Prishtina do t’ia shkaktojë humbjen e parë Pejës në Superligë.
Në anën tjetër, Pejës iu ndalë super seria prej 21 fitoreve radhazi në të gjitha garat në mesjavën që e lamë pas kur u mposhtën në “Karagaç” për herë të parë këtë stinor në kuadër të BIBL.
Trajneri i tyre, Branimir Pavic, mendon se Sigal Prishtina është favorite për këtë ndeshje pasi që nuk është e njejtë me ekipin e fundvitit 2015, të fillimit të stinorit të kaluar.
Por kjo gjë mund t’ia lehtësojë punën lojtarëve që të marrin më shtruar ndeshjen dhe ta dinë se janë liderë perfekt në Superligë me bilanc 15-0.
Ajo që është e sigurt, spektakël basketbolli për Kosovë zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve - që mund të shikohet drejtpërdrejt për vetëm 1 euro.
Drejtësinë do ta ndajnë treshja e referëve: Faton Kurshumlija, Xhelal Mumini dhe Daut Mehmeti.
FAKTE:
Duelet e këtij stinori: | Sigal Prishtina 0-3 Peja | ||
Seria më e mirë e fitoreve këtë stinor: | Sigal Prishtina 7-0; Peja 21-0; | ||
Ndeshja e fundit: | Sigal Prishtina fitore ndaj Kozuvit; Peja humbje ndaj Levskit; |