ÇKA DUHET DITUR PARA SUPERDERBIT?!
Superderbi, të shtunën
27 January, 2017 @8:54
Nesër fillon xhiroja që mban në vete edhe superderbin e basketbollit të Kosovës. Peja pret Sigal Prishtinën në “Karagaç” në kryendeshjen e xhiros XVI, në atë që quhet superderbi, në maksimumin e rivalitet të basketbollit aktual kosovar.
DUELET E DERITASHME
Deri tash, në përballjet e këtij stinori Peja e Sigal Prishtina janë takuar dy herë dhe atë vetëm në Superligë, ku secila ka fituar si vendas.
Verdhezinjtë fituan duelin e parë të zhvilluar më 15 tetor 2016, 81-73, ku kishte shkëlqyer Alban Veseli me 22 pikë të shënuara.
Ndërsa më pas, më 26 nëntor 2016, Sigal Prishtina i kishte shkaktuar humbjen e parë Pejës në Superligë, kur e mposhti 74-58, me Bojan Trajkovskin kryesor në ndeshje me 16 pikë.
DUELI I HARRUAR!
Dy ekipet, gjithashtu kanë shmangur duelin e Superkupës së Kosovës për vitin 2016. Superkupa, si trofe, ka mbetur në zyre, derisa ekipet e kanë shtyer atë për shkak të obligimeve në FIBA Europe Cup dhe kjo ndeshje disi si u harrua!
GJENDJA PARA NDESHJES
Sa i përket duelit të nesërm, Peja vjen me fitore prej BIBL, ku ka mbetur krenaria e Kosovës, si fituese e grupit dhe e vetmja e kualifikuar për në fazën e dytë. Verdhezinjtë janë stabilizuar si ekip. Të huajt dhe vendorët janë komponuar, ndërsa Aleksandar Todorov po tregon atë që deshi nga fillimi i stinorit, lojën ekipore për sukses.
Në anën tjetër, te Sigal Prishtina ka pasur shumë ndërrime këtë stinor. Ekipi ka aktualisht kryetrajnerin e tretë (Audrius Prakuraitis) në detyrë brenda 5 muajve, kurse të katërtin që duhet ta dëgjojnë lojtarët nëse llogaritet edhe periudha kur ekipi ishte në negociata dhe drejtohet nga ndihmësi.
Lojtarët vendorë të Sigal Prishtinës janë të njejtit dhe vetëm janë shtuar edhe 2, ndërsa të huajt thuajse të gjitha janë tjerë në krahasim me ndeshjet e kaluara. Sidoqoftë, Sigal Prishtina ka menaxhuar që së paku në gara vendore të mbajë ritmin dhe ka siguruar Final Fourin në Kupë, por edhe ka mposhtur Bashkimin në derbin e parë të këtij viti.
BILANCI
Gjithsesi nesër në Pejë pritet një ndeshje e madhe në një palestër përplotë shikues për të parë ndeshjen më të mirë që mund të ofrojë Superliga dhe rivalitetin e lartë si brenda, ashtu edhe jashtë parketit.
Para kësaj ndeshjeje, Sigal Prishtina hyn me bilanc 12-2 (një humbje nga Bashkimi dhe një nga Peja), ndërsa Peja me 11-1 (një humbje nga Prishtina).