BORDI
Superliga pa Vëllaznimin, definitivisht
26 September, 2013 @20:09
Skuadra që fitoi në parket të drejtën për të qenë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll, Vëllaznimi, e humbi atë financiarisht.
Në mungesë të mjeteve financiare, ekipi gjakovar edhe zyrtarisht nuk do të jetë pjesë e Superligës së basketbollit kosovar. Këtë vendim sot e ka marrë edhe Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
“Bordi kontstatoi edhe një herë se KB Vëllaznimi duke mos qenë në gjendje të përmbushë obligimet ndaj FBK-së dhe duke mos pasur palestër në dispozicion dhe në mungesë të kushteve për garim korrekt në Superligë, tërhiqet nga garimi në Superligë për edicionin 2013/14,” thuhet në vendimin e FBK-së.
Kështu gjakovarët pritet të garojnë në Ligën e Parë të Kosovës, derisa vendin e tyre në Superligë do ta zë Kastrioti i Ferizajit, ekip ky që pat humbur nga Vëllaznimi në Play-Out. Skuadrat pjesëmarrëse në Superligë 2013/14 do të jenë: Peja, Sigal Prishtina, Bashkimi, RTV 21, Trepça, Drita, Besa dhe Kastrioti.