ANALIZË
“La marseillaise” jehoi më në fund në Ljubljanë
Shkruan: Blerim Myftiu; Analizë pas përfundimit të Eurobasket 2013
26 September, 2013 @14:40
Nuk ekziston “jo” në fjalorin e tij të përditshëm basketbollistik. Asnjë ftesë e drejtuar nga Federata e Basketbollit që të luajë për kombëtaren nuk është refuzuar nga ana e tij. Mund të ketë fituar tri herë titullin e kampionit në ligën më të fortë dhe më të njohur botërore të basketbollit, mund të ketë tri unaza të NBA-së në gisht, por ky fakt nuk e ka shtyrë që t’u thotë zyrtarëve të federatës franceze se “jam i lodhur sivjet, dua t’i përkushtohem sivjet familjes, dua të shërohem plotësisht nga lëndimi i stinorit të kaluar për të qenë në gjendje ta japë maksimumin në atë të ardhshmin për ekipin tim”. Arsyetime që shpesh i japin kolegët e tij evropianë që luajnë po ashtu, krah tij apo kundër tij, në kontinentin amerikan. Shpesh me më pak arritje, shpesh pa tituj, shpesh pa karrierën e tij.
Tony Parker që prej vitit 2001 merr pjesë rregullisht në kampionatet evropiane të basketbollit. Nuk e ka penguar asnjë gjë për ta bërë këtë gjë 7 herë rresht. Dy herë, kur më 2006 dhe 2010 nuk ka qenë në gjendje t’i ndihmonte Francës në kampionatet botërore, shëndeti ka qenë arsyeja që e ka penguar. Përkundër stinorëve të lodhshëm, të gjatë të NBA-së, me mesatare prej 100 ndeshjesh për stinor, Parker e ka “sakrifikuar” çdo të dytën verë për të qenë pjesë e kombëtares që deri para dy dite, 2 herë nga pozita e argjendtë dhe 5 herë nga ajo e bronztë, i kishte shikuar kundërshtarët teksa e çonin në ajër trofeun e më të mirit të Evropës. Për të personalisht, pas bronzës së Beogradit të 2005-së dhe argjendit të para dy viteve në Kaunas, e arta e Ljubljanës ishte më se e merituar.
31-vjeçi që në moshën e hershme synonte të bënte karrierë futbolli, u magjeps për një çast jo nga lëvizjet e babait të tij që ishte po ashtu basketbollist, por nga ikona tejoqeanike – lartajërsia e tij, Michael Jordan. “Demi” i Chicago Bulls, si për shumë fëmijë të cilëve u kishte rënë hise që fëmijërinë ta kalonin në pjesën e parë të 90’ve të shekullit të kaluar, u bë nxitës edhe për Parkerin që t’i rillogariste qëllimet karrieriste. Kalimi i tij nga fusha e blertë në parket doli të jetë hapi më i qëlluar i jetës. Përveç dy viteve fillestare të karrierës, Tony Parker, tanimë 10 vite e djersit fanellën e Spursave të San Antonios dhe e luan rolin e dorës së zgjatur në fushë të trajnerit të tyre, Greg Popovich.
Në mungesë të yjeve të tjerë të ekipit – Joakim Noah, Ronny Turiaf, Kevin Seraphin dhe Ali Traore – Parker udhëhoqi Francën drejt titullit të parë evropian duke u bërë shënuesi më i mirë i kampionatit (19,7 pikë për ndeshje), duke u zgjedhur në pesëshen më të mirë të tij dhe duke u shpallur lojtari më i vyeshëm (MVP). Francezët që gjatë dy dekadave të fundit kanë pasur gjithmonë ekip me lojtarë cilësorë dhe protagonistë të ekipeve kryesore evropiane, kurrsesi nuk kishin arritur të preknin kulmin. Më 22 shtator, “Marsejeza” revolucionare jehoi në Stožice të Ljubljanës, duke ia dhuruar Evropës një kampione të re.
Krenaria e Baltikut
Në shekullin e ri, Lituania duket se është shteti më i suksesshëm postkomunist që madhështinë në basketboll arrin ta vazhdojë pavarësisht se shteti tanimë ka kaluar në rendin demokratik dhe është pjesë e BE-së. Për këtë dëshmojnë një medalje e arit (2003), dy të argjendta (1995, 2013) dhe një e bronztë (2007) në kampionatet e evropiane; 3 të bronzta në Olimpiada (1992, 1996, 2000); dhe një e bronztë në Mundobasketin e 2010-s. Duhet shtuar kësaj edhe dy të arta në kampionatet evropiane të 1937 dhe 1939.
Të udhëhequr sivjet nga strategu i njohur, Jonas Kazlauskas, ajo arriti me hapa të sigurt drejt finales. Shënimet e sakta nga distanca për të cilat basketbolli lituanez është i njohur ishin arma kryesore në kampionat, por që dështoi në çastin kyç – në periudhën e dytë dhe të tretë të finales. Në këto çaste dështoi edhe basketbollisti më i suksesshëm lituanez në kampionat, Linas Kleiza, që finalen e kishte filluar ngjashëm si gjysmëfinalen me Kroacinë, duke shënuar mbi 15 pikë vetëm në pjesën e parë. Presingu në tërë fushën me të cilën Lituania e kishte gjymtuar Kroacinë në gjysmëfinale, as që u arrit të zbatohej në finale. Francezët qenë të përgatitur për këtë, madje të njëjtën tarifë ia aplikuan lituanezëve. Mbrojtja e zonës doli të jetë po aq e pasuksesshme, pasi që Diaw me depërtime dhe shënime e shpartalloi. Një medalje tjetër medoemos është sukses i madh për shtetin e vogël baltik që basketbollin e ka “brand” kombëtar.
“Katrorët” kthehen në skenë
Kroacia, më në fund, bëri një rikthim në dyert e mëdha të basketbollit evropian. Brezi i artë i përbërë nga Petrović, Kukoč, Radja, Perasović, Vranković dhe Komazec ishte i fundit që kishte fituar medalje në një kampionat evropian. (E paharruar është sidomos finalja me “Dream Team”-in origjinal në Lojërat Olimpike të 1992-së). Deri në këtë kampionat, Kroacia kishte dështuar 4 herë në çerekfinale, dhe atë me rezultate të ngushta. Edhe ky kampionat nuk premtonte shumë pas lëndimit në fazën përgatitore të Stjepan Tomasit dhe Zoran Planinićit dhe ndeshjes së parë, kur “katrorët” u mposhtën nga Spanja me 68:40. Kroatët arritën të fitonin 8 ndeshje rresht derisa u mposhtën në gjysmëfinale nga Lituania dhe më pas prapë nga Spanja në duelin për medalje.
Pas pensionimit të emrave të lartpërmendur, Kroacia nuk ka prodhuar ende ndonjë super-yll, emri i të cilit do të gdhendej në mendjet e njerëzve. Ante Tomić, duke filluar nga pamja fizike e deri te pozicioni në të cilin luan, ka shumëçka të ngjashme me Pau Gasolin. Luan madje momentalisht për ish-ekipin e Gasolit, Barcelonan. Në moshë më të hershme, ishte më premtues. Me 26 vjet sa i ka tani, mbetet pikëpyetje aftësia për t’u bërë edhe më i mirë. Njëri ndër 5 lojtarët më të mirë të kampionatit, Bojan Bogdanović, ishte po ashtu dikur lojtar nga i cili pritej më shumë. Dy vjet më i ri se Tomići, duket se do të jetë edhe për një kohë bartës i Kroacisë, por vështirë se do të jetë një Kukoč i ri. Shpresa më e madhe e basketbollit kroat është Dario Šarić, 19 vjeç, i cili luan për Cibonan dhe vjet është shpallur MVP i turneut evropian për nën 18-vjeçarët (këtë çmim sivjet e fitoi basketbollisti me prejardhje shqiptare, Kenan Sipahi).
Pushim për furinë e kuqe
Furia e sportit kolektiv spanjoll, si në futboll, ashtu edhe në basketboll, i karakterizoi vitet e fundit. Spanjollët në tetë kampionate të fundit kanë qenë në katërshen e parë, duke triumfuar dy herë, më 2009 dhe 2011. Pa tandemin Pau Gasol – Juan Carlos Navarro, si edhe pa mbështetjen e Serge Ibakas dhe Felipe Reyesit, i hynë kampionatit që në fillim të hendikepuar, sidomos në trapez. Përkundër përpjekjes titanike të Gasolit të ri (Marc), fakti që zëvendësuesi i tij ishte Xavier Rey (i cili për nga të bëmat në fushë linte më së paku përshtypjen e basketbollistit!), dëshmon për pikën e dobët të kombëtares spanjolle dhe e jep arsyen përse këtë herë medalja nuk ishte e artë. Ish-qendra e kombëtares, Juan Antonio Orenga, që për të parën herë u ulë në stolin e trajnerit të seleksionit A, rrjedhimisht pa përvojë në këtë nivel dhe me një detyrë të rëndë të zëvendësimit të paraardhësit të tij, Sergio Scariolo, ishte një hendikep në vete.
Ukraina, gati për 2015
Sensacioni i para 2 viteve ishte Maqedonia, e cila kishte arritur deri në gjysmëfinale. Sivjet, fqinji ynë jugor nuk arriti të kualifikohej as për fazën e dytë. Sensacioni i këtij viti është Ukraina, e cila nën udhëheqjen e njërit prej trajnerëve më të suksesshëm të NBA-së, Mike Fratello, arriti të depërtojë në çerekfinale, ta zë vendin e gjashtë dhe të kualifikohet për kampionatin botëror të vitit të ardhshëm. Një përvojë e jashtëzakonshme e cila do t’i ndihmojë shumë për kampionatin e ardhshëm evropian i cili mbahet në po këtë shtet.
Nikoqirët e kampionatit kanë një motivim dhe trysni shtesë – ta fitojnë titullin para publikut. Që prej 1993-s (Gjermania), asnjë nikoqir nuk e ka arritur këtë. As Sllovenisë nuk i shkoi për dore. U eliminuan nga kampionët, ngushëllim paraqet që u kualifikuan për kampionatin botëror.
Ekipi i Serbisë ishte ndër ekipet me më së paku përvojë në arenën ndërkombëtare, por në stol e kishte me gjasë trajnerin më me përvojë dhe strategun më të mirë – Dusan Ivković. Përkundër mungesës së gardës me përvojë – Teodosić, Veličković, Savanović, Micov, Erceg, Mačvan – nën udhëheqjen e qendrës së CSKA-së, Nenad Krstić, Serbia ia doli që në duel direkt me Italinë për vendin e shtatë dhe udhëtarin e fundit për në Mundobasket, ta sigurojë biletën për Spanjën 2014.
Kurse për italianët, që u paraqitën pa dy lojtarët kryesorë të ekipit, Danilo Gallinari dhe Daniel Hackett, ngushëllim paraqet se pas mosparaqitjes 2 vite më parë në kampionatin evropian, arritën të kthehen në skenën evropiane dhe me lojërat e treguara dhanë shpresë se do të na kujtonin kombëtaren e dikurshme me Fuckan, Myersin dhe Basilen.
Zhgënjimet
Dështim, zhgënjim dhe katastrofë totale pësuan kombëtaret e Turqisë dhe të Rusisë që arritën të fitonin vetëm nga një ndeshje. Nga Mali i Zi pritej shumë, marrë parasysh performansën gjatë kualifikimeve, por mungesa e yllit kryesor, Nikola Peković, duket se ishte mungesë e ndjeshme. As Greqia e udhëhequr nga Vassilis Spanoulis, edhe pse çaste-çaste gjatë fazës grupore tregoi lojëra të bindshme, nuk arriti të kualifikohej në tetëshen e parë. Vlen në fund të përmendet edhe përpjekja heroike e Bosnjë e Hercegovinës për të dalë nga grupi fillestar, sidomos treshet e çmendura të Mirza Teletovićit (herë nga parkingu, herë nga zhveshtorja) në ndeshjen e fundit të saj në grup kundër Lituanisë, në të cilën ndeshje munguan shumë pak pikë për t’u kualifikuar.