MIRRET VENDIMI - ZYRTARISHT
Suspendohet përjetë
3 February, 2016 @17:50
Federata e Basketbollit të Kosovës ka suspenduar përjetësisht nga çdo aktivitet i saj trajnerin e Yllit Agron Berisha.
“Agron Berisha, trajner i KB Golden Eagle Ylli nga Suhareka, dënohet me ndalesë të përjetshme në kryerjen e detyrës së trajnerit dhe detyrave tjera ne sportin e basketbollit në kuadër të Federatës së Basketbollit të Kosovës,” thuhet në Vendimin e FBK-së të botuar sot.
Si arsyetim FBK ka përmendur faktet dhe raportet si në vijim.
“Në çerekun e IV-të të ndeshjes Trepça vs Golden Eagle Ylli, 2.05 minuta pa përfunduar ndeshja te rezultati 73:70 në të mirë të KB Trepça, trajneri Agron Berisha pas ndëshkimit nga ana e gjyqtarëve me gabim teknik e pastaj edhe me gabim diskualifikues, realizon sulm fizik ndaj gjyqtarit Xhelal Mumini. Si pasojë gjyqtari kryesor vendos, me të drejtë duke zbatuar PG, të ndërpresë ndeshjen. Pas marrjes së deklaratave nga zyrtarët e ndeshjes dhe analizës të xhirimit televiziv të ndeshjes e duke u bazuar edhe në raport të Policisë së Kosovë është konstatuar se Agron Berisha ka kryer sulm fizik të rëndë duke shprehur vendosmëri në realizimin e sulmit ndaj gjyqtarit të ndeshjes, përkatësisht zyrtarit të FBK-së. Agron Berisha ka ndjekur gjatë tërë fushës gjyqtarin, e ka goditur dhe ka tentuar më pas ta godas edhe më tutje duke e përndjekur gjyqtarin Mumini deri në fund të sallës,ku është mbrojtur nga zyrtarë tjerë të ndeshjes që intervenuan dhe i njejti ka shpëtuar me më pak pasoja. Në këto momente trajneri Agron Berisha është përpjekur të godas edhe më tutje gjyqtarin. Gjyqtari Mumini nga goditjet e Berishes ka pësuar lëndime trupore, të konstatuar edhe nga mjeku kujdestar në Shtëpinë e shëndetit në Vushtrri. Me këtë akt të turpshëm, trajneri dhe zyrtari i klubit Ylli, Agron Berisha, ka bërë një akt të dënueshëm me aktet normative te FBK-së dhe ka dëmtuar jashtëzakonisht rëndë në imazhin e sportit të basketbollit në vend dhe jashta vendit. Në bazë të së cekurave është marr Vendimi si në dispozitiv.” - ka cekur faqja zyrtare e FBK-së.
Trajneri Berisha mund të ankohet brenda 24 orëve për këtë vendim të FBK-së.