TEAM OF THE WEEK

TOP 5-shja e javës në Ligën e Femrave (4)
3 November, 2019 @11:19
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros së katërt në Ligën e Femrave në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtareve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Irma Konjusha (Prishtina), Melisa Ibrahimi (Trepça), Sara Vraniqi (Bashkimi), Enxhi Xhanaj (Prishtina) dhe Aulona Muhadri (Bashkimi).
Në xhiron e katërt është luajtur derbi në mes të Penzës dhe Prishtinës, që përfundoi në favor të kampioneve aktuale me rezultat 72-104.
Irma Konjusha dhe Enxhi Xhanaj shkëlqyen për Prishtinën në ndeshjen kundër Penzës. Konjusha luajti me 29 pikë (shifra më e lartë e xhiros), 10 asistime e 7 kërcime, kurse Xhanaj me 27 pikë, 15 kërcime e 7 asistime.
Trepça në xhiron e katërt e regjistroi fitoren e parë të stinorit kundër Kastriotit. Melisa Ibrahimi në këtë ndeshje luajti 40 minuta me 20 pikë, 5 asistime, 5 topa të rrëmbyer dhe 4 kërcime.
Bashkimi aktualisht është skuadra e vetme pa humbje në Ligën e Femrave. Vashat e trajnerit Furkan Saglik e mposhtën Vëllaznimin me rezultat 42-96.
Në fitoren e Bashkimit luajtën rol të rëndësishëm Sara Vraniqi dhe Aulona Muhadri. Vraniqi ishte koshashënuesja më e mirë te skuadra prizrenase me 18 pikë, rrëmbeu 10 kërcime dhe luajti me 5 asistime, derisa edhe Muhadri luajti me double-double prej 14 pikëve e 16 kërcimeve.