SUPERLIGA E FEMRAVE
Trajnerët me rrogë, femrat me fanella
30 May, 2014 @22:32
Trajnerët dhe ndihmëstrajnerët e klubeve të Superligës së femrave të basketbollit tash e tutje do të kenë rrogën e sigurtë për stinorin e ardhshëm!
Kjo pasi që Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që nga data 1 korrik e këtij viti trajnerët e të gjitha ekipeve të femrave të pagohen me një shumë prej 130€ derisa ndihmësit me 70€ për muaj.
Përveç kësaj, ekipet e femrave do të ndihmohen me fanella në stinorin vijues nga FBK si dhe do t’iu ipet një shumë prej 500 eurosh për stinor.
Basketbolli femror ka pasur krizë të madhe në fillim të këtij stinori, kur Sigal Prishtinës nuk i dihej nëse do t’ia niste garat, e në fund u shpallën kampione të ligës.
E në anën tjetër, skuadra tjetër e suksesshme e kategorisë femrore, Penza, përkundër se ia nisi mirë financiarisht stinorit, diku kah gjysma e stinorit mbetën pa sponzorin e tyre kryesor dhe vazhduan të luajnë deri në fund të stinorit pa asnjë cent, duke e fituar Kupën e Kosovës në finalen që u luajt në Shani Nushi të Gjakovës.
Nëse një gjë e tillë realizohet do të ndikojë pozitivisht në interesimin më të madh të sponzorëve të mundshëm për basketbollin femror, por edhe të vetë vajzave të reja që t’i mvishen lojës mes dy koshave.