NGA INFORMATORI NR 18

Foto: KBPrishtina/fb
Trepça dënohet me 1400 euro, Vëllaznimi me 600
20 January, 2023 @12:33
Trepça dhe Vëllaznimi janë skuadrat që janë dënuar pas ndeshjeve të xhiros XVIII në Superligë. Në Informatorin Nr. 18 të Superligës, Komisioni i Garave të FBK-së ka publikuar Vendimet për dënime ku Trepça është dënuar me 1 mijë e 400 euro, ndërsa Vëllaznimi me 600 euro.
Dënimet e Trepçës: 1000 € + 400 €
Trepça është dënuar për shkelje sipas nenit 49.7 “Animi dhe sjellja josportive e shikuesve ndaj policisë, institucioneve, FBK, etj” me 400 euro, ndërsa 1 mijë euro tjera për sipas nenit 49.9 “Largimi në teshatore pas vërejtjes së parë nga gjyqtari i parë (5-minuta)”.
Në përshkrimin e vëzhguesit është shkruar: Në çerekun e tretë shikuesit kanë filluar të ofendojnë në kor ekipin vendas fillimisht, e më pas edhe drejt zyrtarëve të FBK-së dhe të ndeshjes. Pasi iu tërhoq vërejtja me mikrofon, ekipet shkuan drejt zhveshtores. Ofendimet kanë vazhduar dhe është vendosur që të zbrazet palestra, përveç zonës VIP. Gjatë kohës kur ekipet ishin në zhveshtore janë hedhur disa shkrepëse dhe shishe plastike.
Dënimet e Vëllaznimit: 400 € + 200 €
Ndërkaq Vëllaznimi ka marrë dënime në shumën totale prej 600 eurosh, për shkak të shkeljeve 49.7 “Animi dhe sjellja josportive e shikuesve ndaj policisë, institucioneve, FBK, etj” dhe 48.11 “Mos vendosja e flamurit shtetëror dhe mos intonimi i himnit shtetëror”.
Në raportin e vëzhguesit është shkruar: Himni nuk është intonuar, edhe pas kërkesës tonë zyrtare përsëri nuk janë zbatuar PG për intonim të himnit. Nuk ka pasur flamur të Republikës së Kosovës. Në çerekun e katërt ka pasur shpalosje të një transparenti me ngjyrat e tifozëve të ekipit vendas dhe fyerje në drejtim të FBK-së. Pas tërheqjes së vërejtjes me mikrofon, u largua transparenti dhe nuk ka pasur ofendime në vazhdim.
Tjera
Dënimet tjera nga kjo xhiro janë për gabime teknike të ekipeve, trajnerëve dhe lojtarëve si vijon: KB Prizreni, Ahmet Kandemir (trajner, KB Prishtina) dhe Josip Plantak (trajner, KB Vëllaznimi).