TREPÇA - PEJA

Foto: KBTrepca/fb/
Trepça e sigurt, 1-0 ndaj Pejës
8 May, 2022 @18:58
Ekipi që përfundoi në pozitë të dytë të renditjes tabelare në stinor të rregullt, Trepça, ka arritur që pa shumë telashe të mposhtë Pejën në ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale të PlayOffit të Superligës, duke e fituar duelin e parë në shtëpi, 75-68 [23-17, 17-18, 23-14, 12-19], për të bërë 1-0 serinë.
Ndeshja e dytë e serisë zhvillohet përsëri në Minatori, ndërsa ekipi që së pari arrin tri fitore, siguron finalen e PlayOffit.
Peja, pas çerekut të parë jo të mirë u këndell në të dytin, por përjashtimi i Dardan Berishës për shkak të sjelljeve josportive, bëri që pjesa e dytë të kalojë lehtë për mitrovicasit në palestrën Minatori, që ishte e mbushur përplot sonte.
Rodney Purvis ka qenë më i miri te Trepça sonte. Ai ka shënuar 22 pikë, 8 asistime e 4 kërcime në fiooren e ekipit të tij, ndërsa ka shutuar 4/10 për tri pikë.
Paraqitje të mirë ka pasur edhe Andrew Gordon që shënoi 16 pikë dhe i mungoi një kërcim për të kryer duelin me double-double. Nga lojtarët vendorë të mitrovicasve, Samir Zekiqi shënoi më së shumti, 6 pikë!
Te Peja, 22 pikët e Darius Washingtonit plotë përvojë nuk mjaftoi. Ndërsa pos tij, pikë dyshifrore arriti të shënonte vetëm edhe Stephan Maxwell, që dha 14 pikë e bëri edhe 13 kërcime për tu bërë lojtari i vetëm i ndeshjes që kreu lojën me dyshifror të dyfishtë.
Ndeshja e radhës e serisë luhet pas katër ditësh në Minatori, ndërsa termini i saktë konfirmohet nga FBK e KB Trepça.