PARA NDESHJES
Trepça-Peja, sonte në ‘Minatori’
4 February, 2017 @10:54
Me fillim nga ora 18:00, në ‘Minatori’ të Mitrovicës sonte takohen 2 nga 4 skuadrat më të mira të elitës së basketbollit në Kosovë.
Skuadra e Trepçës e pret Pejën, në një takim që pritet të jetë mjaft interesant.
Deri më tash, këto skuadra janë përballur 4 herë ndërmjet vete, 2 herë në Ballkan Ligë dhe 2 herë në Superligë. Të katër këto takime janë fituar nga skuadra pejane.
Takimi i parë i zhvilluar në Mitrovicë ishte një nga ndeshjet më emocionuese të sezonit në Superligë. Të dyja skuadrat zhvilluan ndeshje të fortë, derisa fitorja e Pejës erdhi në sekondin e fundit nga gjuajtja e LaMarcus Reed.
Takimi i dytë i zhvilluar në ‘Karagaç’ ishte gjithashtu interesant, me Trepçën që kishte epërsi pas pjesës së parë, mirëpo pejanët u rikthyen në pjesën e dytë dhe e mbyllën ndeshjen me fitoren, 74-57.
E në Ballkan Ligë, ndeshja në ‘Minatori’ i takoi Pejës 0-20 në tavolinë, me gjyqtarët që së pari urdhëruan që t’i zbrazin tribunat dhe më pas vazhdimi i ndeshjes sipas tyre ishte i pamundshëm edhe pa shikues. Takimi kthyes në Pejë u mbyll me fitoren e pejanëve pas kohës shtesë, me kohën e rregullt që u mbyll pa fitues, edhe pse Trepça e kishte lojën në dorë. Kjo humbje i kushtoi me eliminim nga Ballkan Liga ‘xehetarëve’.
Sa i përket ndeshjes që luhet sonte, pritet përsëri një përballje interesante, me të dyja skuadrat që janë më të konsoliduara se në pjesën e parë të sezonit.