BIBL: RAHOVECI - IBRI

Foto: KB Rahoveci
Triumfon Ibri, shtyhet fitorja historike e Rahovecit
30 October, 2019 @20:05
Pas humbjes nga Peja në xhiron hapëse të Ballkan Ligës, Rahoveci është mposhtur edhe në duelin e luajtur në “Mizahir Isma” ndaj Ibrit të Rozhajës, duke bërë kështu që fitorja historike e “vreshtarëve” në këtë garë të shtyhet për një datë tjetër.
Ndeshja e luajtur sonte përfundoi me rezultat 74-77 në të mirë të mysafirëve.
Vendimtar për Ibrin në këtë ndeshje ishte çereku i dytë, të cilin e mbylli me 12 pikë më shumë se kundërshtari (11-23), ndërsa rezultati i ngushtë në çerekët e tjerë dhe tentimet e Rahovecit në momentet e fundit për ta përmbysur ndeshjen dolën të pafuqishme, me ndeshjen që u mbyll me fitoren e mysafirëve.
Justin Gray me 20 pikë, 6 kërcime e 2 asistime ishte më i dalluari te Rahoveci, derisa pikë dyshifrore shënuan edhe Arian Qallaku (14), Christian Bradford (13) dhe Jure Gunjina (10). Ndërkohë, te mysafirët më i miri ishte Nemanja Simovic me 20 pikë.
Pas dy ndeshjeve të luajtura, Ibri i prin tabelës me bilanc 2/2, kurse Rahoveci pas dy ndeshjeve ka 2 humbje.