TURNE BASKETBOLLI
U14 në dy kategori, para turneut në Rumani
Teksti: FBK
18 December, 2018 @14:07
Pas turneut ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë që është organizuar në muajin shtator në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), tani radha i vije turneut ndërkombëtar në Targu Jiu të Rumanisë, ku Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të përfaqësohet me dy ekipe (djem/vajza) deri në moshën 14 vjeçe.
Dy ekipe nga Kosova kanë udhëtuar mbrëmë për në Targu Jiu, ku prej 18 deri më 22 dhjetor do të jenë pjesë e turneut ndërkombëtar në kuadër të këtij projekti të FIBA Evropës që organizohet nga Federata e Basketbollit të Rumanisë.
Krahas Kosovës dhe Rumanisë, pjesë e këtij projekti janë edhe Federata e Basketbollit të Turqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë.
Kosova në të dyja konkurrencat do ti zhvilloj gjithsej nga 4 ndeshje.
Në këtë turne kanë udhëtuar gjithsej 24 fëmijë (12 djem dhe 12 vajza), 4 trajnerë dhe 2 koordinatorë.
Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës në dy vitet e kaluara ka qenë pjesë e këtij projekti të përbashkët me Federatat e lartëpërmendura, por vetëm në konkurrencën e meshkujve, derisa në dy vitet e ardhshme ky projekt do të implementohet për të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.
Në kuadër të këtij projekti dyvjeçar do të zhvillohen gjithsej 5 turne dhe 2 Kampe Nacionale.