Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PAS 5 HUMBJESH, FITOJNË

Vazhdimet ia japin fitoren Dritës!

Foto: KBDrita/ fb

Vazhdimet ia japin fitoren Dritës!


23 February, 2023 @23:18

Basketbollistët e Dritës kanë arritur të regjistrojnë fitoren e parë kampionale pas pesë humbjesh radhazi. Ekipi i gjilanasve ka mposhtur atë të Gjakovës së Re sonte, duke fituar duelin 75-64, në ndeshjen që shkoi në vazhdime, pasi që rezultati ishte i barabartë pas 40-minutash lojë!

Drita i fitoi të gjitha çerekët gjatë kohës së rregullt të ndeshjes, pos çerekut të dytë ku ekipi i Gjakovës së Re kishte bërë një dallim prej 9-pikësh, 13-22. Rikthimi u bë nga ekipi i Dritës, që po drejtohet nga vetë-lojtari i tyre më efikas, Qëndrim Demi, gjatë gjithë stinorit, por sa për të shkuar në vazhdime.

E në vazhdime, Drita i dha edhe njëherë gaz makinës për të arritur fitoren e shumëkërkuar, duke fituar në vazhdimin e parë me 11 pikë dallim, 16-5.

Qëndrim Demi kreu lojën me double-double prej 28 pikësh e 12 kërcimesh, ndërsa Diellor Maksuti luajti me 17 pikë. Laurant Ibrahimi gjithashtu bëri double-double, duke dhënë 13 pikë e 11 kërcime në fitoren e ekipit bardhekaltër. Nart Llapashtica te Drita luajti 45-minuta! Qendra e re gjilanase bëri 5 bllokada në këtë ndeshje duke shënuar 6 pikë e 13 kërcime.

Te Gjakova e Re që drejtohet nga Driton Rraci, nuk ka mjaftuar loja e shkëlqyeshme e Dardan Brovinës, që dha 28 pikë, 12 kërcime e 6 asistime në përballjen, ku s’pushoi asnjë minutë, duke luajtur plotësisht të 45-minutat e ndeshjes.

Me fitore Drita bën bilancin 16-10 ndërsa aktualisht kap vendin e pestë në tabelë, ndërsa Gjakova e Re është e shtata me bilanc 13-14.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Liga e Parë